Drejtuesit e LVV-së, AAK-së e Nismës në kohën kur ishin bashkë - Foto: Facebook

Demarkacioni Bën Sërish Bashkë Opozitën?

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka gjasa t’i bëjë prapë bashkë partitë opozitare Lëvizjen Vetëvendosje, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën.

Këtë mundësi nuk po e përjashtojnë zyrtarë të këtyre tri partive.

Afrimit të mundshëm mes LVV-së, AAK-së dhe Nismës po i kontribuojnë deklaratat e zyrtarëve qeveritarë, sipas të cilëve ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin do të bëhet në Kuvendin e Kosovës brenda dy muajve të ardhshëm.

http://kallxo.com/brenda-dy-muajve-demarkacioni-ne-kuvend/

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, tha për KALLXO.com se protesta e ardhshme mund të organizohet në bashkëpunim edhe me partitë e tjera opozitare.

“Vetëvendosje gjithmonë ka qenë e hapur që të organizojë protesta në bashkëpunim me këdo që ka qenë i interesuar të kundërshtojë padrejtësitë në Kosovë. Ne do të organizojmë protesta edhe më të fuqishme dhe më masive në rast se Qeveria synon të ringjallë demarkacionin me Malin e Zi dhe ‘Zajednicën’”, deklaroi Krasniqi.

E mundësinë e organizimit të përbashkët nuk e ka përjashtuar as sekretari i Nismës, Bilall Sherifi.

“Ne jemi edhe sot të gatshëm që të bashkëpunojmë me Vetëvendosjen. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me mazhorancën. Që të krijojmë një front të gjerë politik. E kur të arrihen qëllimet atëherë i mbetet secilit subjekt apo individ të vendos se ku do të rreshtohet për të mirën e vendit”, u shpreh Sherifi për KALLXO.com.

Megjithatë, Sherifi thotë se ende nuk kanë biseduar konkretisht për protestën e radhës, mirëpo me partnerin e koalicionit, AAK-në, janë duke diskutuar për çdo qëndrim.

Kurse një ribashkim të partive opozitare nuk e ka mohuar as shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, i cili tha për KALLXO.com se LVV është e mirëseardhur.
“Sa herë që thërrasim protesta kundër kësaj Qeverie janë  të mirëseardhur t’i bashkëngjiten VV, shoqëria civile dhe kushdo që nuk pajtohet me këtë keqqeverisje. Ne jemi të hapur në këtë drejtim edhe VV për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet”, tha mes tjerash Lekaj.

Ai shtoi se janë duke i diskutuar modalitetet dhe shumë shpejt do ta njoftojnë opinionin publik, mirëpo siguroi se ende nuk është caktuar ndonjë datë.

Partitë opozitare deri tash kanë organizuar protesta të shumta në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve.

E fundit ishte ajo e 14 majit kur Lëvizja Vetëvendosje refuzoi t’i bashkëngjitet AAK-së dhe Nismës në thirrjet e tyre për protestë.

http://kallxo.com/aak-e-nisma-pergatiten-vv-se-nuk-intereson-protesta-e-14-majit/

Tri partitë opozitare e kanë penguar disa herë miratimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe atë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke përdorur gaz lotsjellës e forma të tjera.

http://kallxo.com/serish-gaz-lotsjelles-ne-kuvendin-e-kosoves/

http://kallxo.com/gaz-lotsjelles-brenda-tym-me-ngjyre-jashte-kuvendit/

Blloku opozitar u nda më dysh në fund të muajit mars, kohë kur filluan akuza e kundërakuza mes zyrtarëve të LVV-së në njërën anë dhe atyre të AAK-së e Nismës në anën tjetër.

Në ndërkohë, Aleanca e drejtuar nga Ramush Haradinaj dhe Nisma e Fatmir Limajt kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

http://kallxo.com/koalicioni-aak-nsima-presion-mbi-vetevendosjen/