Deliu-Kodra Beson që Sot do të Caktohet Dita e Seancës për Demarkacion

Deputetja e PDK-së, Blerta Kadriu-Deliu ka thënë se Kryesia e Kuvendit pritet të caktojë shumë shpejt seancën për votimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ajo tha se shpreson që ky dakordim të jetë sot në takimin që po ndodh në lidhje me mbarëvajtjen e seancës së sotme, pasi që opozita bojkotoi atë si shenjë pakënaqësie për mosvotim të rekomandimeve për rritje të pagave.

“Ne presim që  të ketë përmbyllje të këtij procesi. Kryesia e Kuvendit po mblidhet tani për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e seancës së sotme dhe unë besoj që do të ketë diçka të re sa i përket seancës së re në lidhje me demarkimin e kufirit”, tha Deliu-Kodra.

Ajo tha se lidershipi politik është në takim me gjithë aktorët politikë që të sigurohen votat e duhura për çështjen e demarkacionit dhe sipas saj çështjes së demarkacionit po i vije fundi.

“Përfundimisht është lajm i mirë se çështjes së demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi po i vie fundi. Ashtu siç jeni informuar edhe nga mediat, ka afërsisht rrumbullakësim të kësaj çështjeje dhe ne presim që Kryesia e Kuvendit të mblidhet dhe të zyrtarizojë datën kur do të mbahet seance”, tha Deliu-Kodra.

Ndryshe nga deputetja Blerta Deliu-Kodra, deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi tha se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“ Nuk ka asgjë konkrete tani, do të shohim në të ardhmen. Jemi në konsultime me të gjithë”, tha Isufi.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ripërsëriti kërkesën e opozitës se pas votimit të demarkacionit, vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ne e kemi fuqinë politike për të bërë opozitë me numra. Kuvendi duhet të mblidhet sa më parë që të votohet demarkacioni për të përmbyllur atë çështje të rëndësishme për qytetarët, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi Hoti.