Blerta Deliu (PDK). Foto: Kallxo.com

Deliu: Kandidaturat e Reja të PDK-së Funksionuan

Triumfi me vota i Valdete Idrizit në Mitrovicë dhe Shaqir Totajt në Prizren që dolën të parët në komunat përkatëse, megjithëse pa fitore në raundin e parë, po konsiderohen simbol i ndryshimit në këtë parti.

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës foli lidhur me strategjinë e tyre për zgjedhjet lokale që sipas saj rezultoi shumë e suksesshme.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Deliu tha në raundin e parë të zgjedhjeve kanë vërejtur një rritje të mbështetjes elektorale.

Secili subjekt politik kur krijon një traditë 10 vjeçare, më shumë ka nevojë që të ketë ndryshim. PDK kësaj here ka vendosë që ti ketë 80 për qind të kandidaturave të reja, të cilat natyrisht kanë reflektuar edhe në përkrahje qytetare. Mendoj se kandidatura e Mitrovicës dhe Prizrenit ka qenë risi në këto zgjedhje që kanë gëzuar mbështetje”, tha Deliu.

Ajo po ashtu vlerësoi se fushata që kaloi ka pasur përmirësime sa i përket nivelit të debatit politik dhe demokracisë zgjedhore.

“Nuk është shfrytëzu fushata lokale për projekte madhore, diskursi i rëndë është mënjanu. Me njëfarë forme është krijuar një garë pak më e lehtë, jo të ashpër”, tha Deliu.

Pjesë e panelit e debatit për analizën e zgjedhjeve lokale ishin edhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: