Delegacioni i LDK-së në Kongresin e Partive Popullore Europiane

Në kongresin që po mbahet në Maltë, Mustafa tha se delegacioni i LDK-së do të ketë mundësi të takohet me liderë shtetesh, drejtues të mekanizmave të BE-së si dhe drejtuesit e partive kryesore evropiane të qendrës së djathtë.

“Kongresi i Maltës, i cili do të fokusohet në politikat e jashtme, të sigurisë, në zhvillimin ekonomik dhe realitetin digjital, pritet të konkludojë me dokumente konkrete për të ardhmen e Evropës”, tha Mustafa në një postim në Facebbok.

“Familja e madhe europiane e partive të qendrës së djathtë, ku LDK-ja e përfaqëson Kosovën në mënyrën më dinjitoze, do të vazhdojë të ketë rol qendror në politikat e BE-së, duke ofruar përkrahje të mëtejme për rrugën evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës”, tha kryetari i LDK-së.

Gjatë dy ditëve të Kongresit të Maltës, të pranishmëve, përveç kryeministrit Isa Mustafa, pritet t’iu drejtohen dhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, kryetari i Qeverisë së Irlandës, Enda Kenny, kryeministri hungarez, Viktor Orban,  kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, presidenti i Armenisë, Serzh Sargsyan, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, kryeministri i Maqedonisë, Emil Dimitriev dhe shumë udhëheqës të lartë të qeverive dhe të partive politike të fuqishme evropiane.

Në Kongresin e Maltës, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i EPP-së Joseph Daul, pritet të marrin pjesë rreth 2500 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete.