Delegacioni Franko-Gjerman, Presion Kosovës për Gjykatën Speciale

I dërguari gjerman dhe ai francez po rrisin presionin diplomatik ndaj Kosovës që kjo e fundit të mos përpiqet të ndalë krijimin e Gjykatës së re Speciale, e cila do të gjykojë ish-guerials të Kosovës.

Një delegacion i përbashkët gjermano-francez u takua të mërkurën me zyrtarë të Kosovës për të shprehur shqetësimin rreth përpjekjeve të dështuara të fundit nga deputetët e Kosovës për të revokuar ligjin për krijimin e Gjykatës Speciale, e krijuar për të gjykuar krimet e luftës të shqiptarëve të Kosovës.

E dërguara e Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s, Christina Hellbach, dhe kreu i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Francës, Thomas Bertin, janë në Kosovë për një vizitë të përbashkët dy-ditore më 10 dhe 11 janar.

“Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris rreth përpjekjeve të fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,” tha ambasada gjermane.

Të mërkurën, delegacioni u takua me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe deputetët e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Të enjten janë planifikuar takime me shoqërinë civile. Të gjitha takimet po mbahen pa praninë e medias.

Ambasada gjermane tha të mërkurën se tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e reformave, sidomos për sundimin e ligjit, demokracinë dhe qeverisjen e mirë “të cilat janë thelbësore për një afrim të mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Europian”.

Deputetët më 22 dhjetor organizuan një përpjekje dramatike për të revokuar ligjin që lejon funksionimin e Dhomave të Specializuara, por nën presion të madh nga aleatët perëndimorë të Kosovës, përpjekja e tyre për ta kaluar atë të votim qe e pasuksesshme.

Nisma për të revokuar ligjin u mbështet nga partitë e koalicionit qeverisës në vend – Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe Nisma për Kosovën, NISMA.

Nisma për të sfiduar ligjin për Dhomat e reja të Specializuara erdhi pasi veteranët e luftës për pavarësi nisën një peticion duke e quajtur gjykatën e re “diskriminuese”, pasi ajo synon të gjykojë vetëm ish-guerilas shqiptarë të Kosovës dhe jo anëtarë të forcave serbe të akuzuar se kanë kryer mizori sistematike.

Megjithatë, kryetari i parlamentit Kadri Veseli, lideri i PDK-së, tha në një artikull të hënën se përpjekjet për të ndalur gjykatën nuk do të rezultonin të suksesshme.

Gjatë javëve të fundit, disa ambasada europiane në Kosovë dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara i kanë bërë presion organeve qeverisëse të Kosovës për të hequr dorë nga revokimi i ligjit.

“Një lëvizje e tillë vë në pikëpyetje angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vë në rrezik gjithçka që ka arritur Kosova. Ajo vendos interesat e disa individëve të caktuar mbi interesat e shoqërisë së Kosovës,” thanë ato në një deklaratë të përbashkët më 4 janar.

Dhomat e Specializuara do të dëgjojnë çështje që dalin nga një raport i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së që thotë se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së duhet të përballen me akuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Edhe pse me bazë në Hagë, Dhomat e Specializuara janë ligjërisht pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por të pavarura nga gjyqësori i Kosovë dhe me staf ndërkombëtar.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha të mërkurën se vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale mbetej në fuqi. Ai kritikoi ato që ai i quajti deklarata të tepruara në lidhje me çështjen që krijonin panik midis qytetarëve dhe i kujtoi deputetëve në Kosovë se ata e miratuan krijimin e gjykatës në vitin 2015.

I pyetur nëse si një ish-lider i luftës për pavarësi ai personalisht i druhej gjykatës, Thaçi tha se Kosova kishte dhënë shembullin më të mirë në të gjithë rajonin përsa i takon bashkëpunimit me drejtësinë dhe se s’kishte asgjë për të fshehur.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës kreu një luftë që ishte krejtësisht e pastër. Është lëvizja guerilase më e suksesshme që ka ndodhur ndonjëherë në botë. Ne nuk sulmuam asnjë.  Ne luftuam për të larguar Serbinë nga Kosova dhe kjo është fitorja më e madhe e kombit tonë,” tha ai.