Takimi i ministrit Rrustem Berisha me ambasadorin amerikan, Greg Delawie - Foto: Rtv21

Delawie: Transformimi i FSK-së të Bëhet me Ndryshime Kushtetuese

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Ministri Berisha e falënderoi ambasadorin Delawie për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme që ShBA-të ka dhënë për Ministrinë dhe FSK-në, duke theksuar se ai do të punojë për ta thelluar këtë bashkëpunim edhe më tepër gjatë mandatit të tij.

Ai foli edhe për rëndësinë e procesit të transformimit të FSK-së në FAK dhe sfidat që e presin këtë proces, duke theksuar se ai do të përcjellë mesazhin e qartë dhe të hapur te komuniteti serb dhe komunitet tjera, se FAK-u nuk do të jetë i orientuar kundër askujt, por do të jetë në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Nga ana e tij, ambasadori i ShBA-ve, Greg Delawie, shprehi gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen duke theksuar se ambasada e ShBA-së mirëpret gatishmërinë për të vazhduar këtë bashkëpunim për të shtuar dhe forcuar kapacitetet e FSK-së.

“Ne e përkrahim transformimin e FSK-së në FAK të bazuar në ndryshimet kushtetuese dhe vlerësojmë se ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë komunitet dhe t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”, ka thënë Delawie.

Takimi me ambasadorin e ShBA-së ishte takimi i parë i ministrit Berisha në detyrën e re. /21Media