Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie

Delawie: Sundimi i Ligjit Përcakton Suksesin e Vendit Tuaj

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie tha sot në Konferencën e Shtatë Vjetore Gjyqësore se nga sundimi i ligjit varet suksesi i Kosovës si shtet.

Delawie përshëndeti zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë duke e konsideruar arritje të madhe për qasje në drejtësi të të gjithë qytetarëve në çdo pjesë të Kosovës.

Por Delawie tha se ende ka punë për të bërë që gjyqtarët në veri të nisin ndarjen e drejtësisë.

Ambasadori duke u ndalur në publikimin e UNDP-së Pulsi Publik, përgëzoi gjyqtarët që perceptimi për korrupsionin në gjykata ka rënë në raport me publikimet tjera.

Megjithatë, Delawie konstatoi se “ka ende zbraztësira sa i përket besimit dhe efektivitetit të gjyqësorit”.