Delawie e Krasniqi me kultivuesit e shpargut | Foto: KALLXO.com

Delawie: Shpargu dhe Mjedrat Shembull i Përparimit

Në ditën e nisjes së promovimit të shpargut në Prishtinë, ambasadori amerikan Greg Delawie këtë bimë e lidhi me mjedrat.

“Shpargu është i gjelbër kurse mjedrat janë të kuqe, po këto kanë diçka të përbashkët- janë shembull I shkëlqyeshëm i përparimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë”, tha Delawie.

Shpargu filloi të kultivohet viteve të fundit në Kosovë me ndihmën e USAID-it, ndërsa bashkë me ambasadorin Delawie sot kultivuesit e shpargut në Prishtinë i vizitoi edhe drejtori i USAID-it James Hope.

Ambasadori Delawie më tutje tha se me asgjë tjetër nuk mund të fitohet sa me kultivimin e shpargut.

“Fitimet nga mbjellja e shpargut janë dhjetëfish më të mëdha se fitimet nga të mbjellat e tjera. Kjo kulturë u ka mundësuar kultivuesve të kenë para në fillim të sezonit asnjë kulturë tjetër në Kosovë nuk mund të sjellë një fitim të tillë”, tha Delawie.

Edhe ministri i bujqësisë Memli Krasniqi tha se nga shpargu përfitohet financiarisht.

“Shpargu 6 vitet e fundit ka filluar të kultivohet në Kosove dhe ka një rritje stabile nga viti në vit mbi të gjitha duke krijuar jo vetëm një treg të sigurt për kultivuesit por edhe përfitime shumë të mira për ta”, tha Krasniqi.

Ndërsa Delawie duke folur për tokën e Kosovës, tha se kjo tokë prodhon produkte të klasës së parë.

Ibadete Kosumi nga Vushtrria, njëra nga kultivueset e shpargut që përfitoi nga programi i USAID-it për kulturë, u shfaq e kënaqur në lidhje me kultivimin dhe shitjen e shpargut.

Ajo tregoi se ka 50 arë të mbjellë me këtë kulturë.

Ndërsa Qemajl Vuçitërna nga Prishtina, një kultivues tjetër i shpargut që në këtë punë përveç anëtarëve të familjes ka përfshirë edhe punëtorë tjerë, tha se dëshiron që shpargu gjatë këtij sezoni të pranohet dhe kërkohet më shumë nga kosovarët.

Shpargu është një bimë e gjelbër shumëvjeçare me veti shëruese.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për promovimin e kësaj bime.

http://kallxo.com/bima-e-shpargulles-si-mundesi-e-kosoves-per-rritje-te-punesimit/