Nga takimi Bytyqi- Delawie

Delawie: SHBA do ta Vazhdojë Mbështetjen për Arsimin e Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i shoqëruar nga drejtori i USAID në Kosovë, James Hope dhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në arsim dhe planet për ta përmirësuar gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit.

Ministri Bytyqi ka falënderuar SHBA-të për ndihmën e madhe që i kanë dhënë Kosovës në periudha të ndryshme, si dhe ndihmën që po e jep në fuqizimin e shtetit tonë, e në veçanti në sektorin e arsimit përmes organizatave të veta, të cilat janë partnerë të fuqishëm në proceset më të rëndësishme.

Ministri Bytyqi e informoi ambasadorin amerikan për prioritetet e tij që kanë për synim të përmirësojnë gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit, ndërsa theksoi nevojën që në këto prioritete të ketë mbështetjen e SHBA-ve.

Ndërsa, ambasadori Delawie, theksoi se ShBA do të vazhdojë të mbështesë arsimin në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ministri Bytyqi dhe ambasadori Delawie biseduan edhe për projektet e përbashkëta që aktualisht janë duke u realizuar në arsim, si dhe për programin e bursave Fulbright, thuhet në komunikatën e MASHT.