Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha priti në takim ambasadorin e ShBA-së, Greg Delawie - Foto: Facebook

Delawie Premton Bashkëpunim në Procesin e Integrimit Europian

Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, u takua sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për rrugën e Kosovës drejt integrimit europian.

Ministrja Hoxha njoftoi ambasadorin Delawie për proceset aktuale në kuadër të agjendës europiane të reformave dhe prioritetet kyçe që parasheh të realizohen në këtë periudhë.

Ministrja Hoxha dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy qeverive e në veçanti me Ministrinë e Integrimit Europian.

Ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Qeverinë amerikane dhe njëkohësisht të ketë një kordinim sa më efikas ndërmjet projekteve të Qeverisë së Kosovës, BE-së dhe Qeverisë amerikane si një ndër kontribuesit më të mëdhenj për zhvillimin e vendit tonë.

Nga ana e tij, ambasadori Delawie uroi ministren Hoxha për detyrën e re dhe premtoi vazhdimin e bashkëpunimit tashmë të krijuar për t’i kontribuar sa më shumë forcimit të shtetit demokratik drejt integrimit në familjen evropiane.

Njëkohësisht, theksoi Ambasadori Delawie se Amerika është mjaft e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit në këtë proces. /21Media