Pamje nga nisja e edicionit XV të Javës së Bibliotekës në Kosovë - Foto: KALLXO.com

Delawie: Plagjiatura, Kancer për Institucionet e Arsimit

Kosova duhet të përjashtojë falsifikimet dhe mos të vazhdojë t’i marrë si të zakonshme, tha sot, në hapje të Javës së Bibliotekës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie.

Duke folur për të drejtën e pronësisë intelektuale dhe të drejtën e autorit dhe impaktin e tyre në zhvillimin ekonomik, ambasadori Delawie tha se Kosova është një treg i vogël dhe deri tash ia ka dalë t’i ikë pak a shumë radarit global për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë intelektuale.

“Por, sa herë që i vizitoj dyqanet këtu e shoh një përzierje të mallit legjitim dhe mallit të falsifikuar. Kosova duhet ta arrijë pikën kur malli i falsifikuar është përjashtim dhe jo diçka e zakonshme”, tha ambasadori amerikan.

Më tej, ambasadori i ShBA-së shtoi se ka vërejtur se në Kosovë pirateria është një çështje normale dhe kjo gjë, sipas tij, duhet të fillojë të zbehet.

Ai madje tha se plagjiatura është kancer që shkatërron themelet e besueshmërisë në institucione edukative.

Sot, kur nisi edicioni i pesëmbëdhjetë i Javës së Bibliotekës në Kosovë, iu nda mirënjohje Ambasadës amerikane si kontributdhënësi kryesor për bibliotekat.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bibliotekën e cilëson si mundësi për të zhvilluar biznese sepse sipas tij, biblioteka fuqizon njohuritë akademike.

Ai theksoi se Kosova është europiane andaj ashtu duhet të jetë edhe biblioteka.

“Në botën e biznesit njerëzit përdorin burimet e bibliotekës për të marrë vendime të mençura në fushën e tyre, i përdorin për të përmirësuar aftësitë e tyre, profesorët arrijnë rezultate më të larta shkencore, studentët, nxënësit për të forcuar dijen e tyre akademike. Kosova e ka një orientim të qartë europian, kështu që ne duam që këtë orientim të qartë ta realizojë edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe biblioteka të tjera në Kosovë’’, tha Mustafa.

Kurse, drejtori i Bibliotekës Kombëtare ‘’Pjetër Bogdani’’, Fazli Gajraku, tregoi që kjo javë do të jetë e pasur me ligjërata nga Kyle K. Courtney, i cili është këshilltar për të drejtat e autorit në Universitetin e Harvardit, andaj edhe tema që do të trajtojë në ligjëratat e tij është kryesisht mbi të drejtën e autorësisë.

‘’Kjo javë do të përcillet me sesione ligjëratash të tipit të mbyllur që do të mbahen në Prishtinë, Pejë dhe Prizren nga Kyle Courtney, i cili do të mbajë një sërë ligjëratash që kanë të bëjnë me thellësinë intelektuale, me të drejtën e autorit, me integritetin akademik, me mbrojtjen e autorësisë nga plagjiatura por edhe për rolin e bibliotekave në mbrojtjen e të drejtave të pronës intelektuale’’, tha Gajraku.

Ai shtoi se gjatë këtyre sesioneve do të lexohen edhe punime nga profesorë të universiteteve vendore, avokatë dhe juristë.

Ndërkohë, Muhamet Hamiti, kryetar i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare tha se çmimi i porsathemeluar ‘’Pjetër Bogdani’’ do t’i ndahet Ambasadës amerikane në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë që nga themelimi i saj në vitin 2003.

Java e Bibliotekës në Kosovë do të vazhdojë të mërkurën në Universitetin e Prishtinës, të enjten në Universitetin e Pejës dhe të premten në Universitetin e Prizrenit.