Delawie: Kosova Gjendet në Zgrip

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, thotë se Kosova është “në zgrip” për shkak të bllokadës politike që e ka kapluar vendin tash e gjashtë muaj.

Në një deklaratë të dhënë për KALLXO.com, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, përshëndeti iniciativën e Presidentes për t’i takuar liderët politikë të vendit në një tavolinë, por tha se është i zhgënjyer nga fjalori i përdorur pas takimit.

“Duhet të them se kam qenë i zhgënjyer nga disa reagime që i kam dëgjuar për takimin e djeshëm. Është e rëndësishme për njerëzit që ta kuptojnë që qytetarët i punësojnë politikanët që të marrin vendime. Disa nga ato vendime janë kundërthënëse, por përdorimi i fjalëve si ‘tradhti’ dhe ‘diktaturë’ për t’i karakterizuar vendimet që i marrin politikanët derisa janë duke e bërë punën e tyre vërtetë e bëjnë dialogun më të rëndë dhe demokracinë më të vështirë, si dhe e bën më të vështirë arritjen e zhvillimit demokratik të Kosovës që të gjithë duam ta shohim”, tha ambasadori amerikan.

Duke e mbështetur iniciativën e Presidentes në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje politike përmes dialogut, Delawie tha se pret nga liderët politikë “angazhime të mëtutjeshme” për ta gjetur një zgjidhje.

“Në këtë moment mendoj se Kosova është në zgrip. Progresi është i mundshëm, por nuk është i sigurt. Ende mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe atë punë duhet ta bëjë një Kuvend që funksionon, qoftë përmes bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian, qoftë përmes bashkëpunimit me ShBA-të në Sfidat e Mileniumit dhe në shumë çështje tjera në agjendë për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Por së pari, diplomati amerikan dëshiron të shohë fund të bllokadës politike.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që bllokada politike të zgjidhet. Dua që Kuvendi të funksionojë, dua që deputetët të jenë në gjendje ta bëjnë punën që punëdhënësit e tyre, qytetarët e Kosovës, po i paguajnë për ta bërë. Sigurisht që i përkrahu përpjekjet e Presidentes për ta përdorur dialogun për të sjellë një zgjidhje për bllokadën politike”, tha ai.

Ambasadori amerikan nuk pranoi të komentojë për çështjen e votimit të Presidentit, pikë te e cila politika kosovare pritet të vijë brenda javëve.

“I përket Kuvendit të vendosë për Presidentin e ri. E kuptoj si funksionojnë ligjet, por kjo nuk është puna ime”, tha ambasadori Delawie.