Delawie me gratë biznesmene | Foto: KALLXO.com

Delawie Kërkon të Bëhet më Shumë për Biznesin e Grave

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delaëie deklaroi se këtë vit Kosova është për 13 pozicione e renditur më mirë në listën e Bankës Botërore të të bërit biznes.

“Këtë vit Kosova ka përparuar për 13 vende në listën e Bankës Botërore të raportit të të bërit biznes. Muajin e kaluar pata kënaqësinë të flas gjatë lansimit të strategjisë së re nacionale për të drejtat pronësore që ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme në përfshirjen dhe fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë”, tha Delawie.

Ai gjithashtu tha se gratë duhet të kenë qasje më të mirë për të marrë kredi për të investuar në bizneset e tyre.

“Ju e dini më mirë se unë se mundësitë për gra që të kenë pronë ose të trashëgojnë në emrin e tyre i fuqizon ato. Dy për qind e grave kanë marrë kredi në banka të Kosovës me mbështetje nga pronat e paluajtshme. Grave u duhet të kenë qasje më të mirë për të marrë kredi që të fillojnë biznesin e tyre. Dy për qind jo vetëm që është shifër e papërshtatshme dhe e padrejtë, por edhe është një thirrje për të bërë më shumë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Arjeta Vula, udhëheqëse e shoqatës per pëpunimin e drurit tha se duhet të përmirësohet klima e të bërit biznes për gratë sepse ato janë më të përgjegjshme sa i përket kësaj fushe.

“Për ne gratë e biznesit duhet të përmirësohet klima e të bërit biznes duke orientuar, iniciuar dhe përfshirë akoma më shumë gra në këtë fushë. Jam e mendimit që gratë e biznesit të marrin një status special gjë e cila realizohet nëpërmjet një pakete politikash lehtësuese”, tha Vula.

Ajo arsyetoi edhe lehtësimet që kërkoi për gratë biznesmene.

“Grave t’u besohet më shumë biznesi sepse ato drejtojnë më mirë, kanë projekte biznesi të sakta, administrojnë fondet më mirë, janë më transparente në raport me të tretët, janë më korrekte dhe më të përgjegjshme,” sqaroi Vula.

Vula si udhëheqëse e Shoqatës për Përpunim të Drurit, ka thënë se kjo lloj industrie është e vështirë për femrat dhe se përfshirjen e tyre e ka mundësuar avancimi i teknologjisë.

“Kohë më parë kjo industri është e vështirë për t’u përpunuar nga femrat. Ndërsa me avancimin e teknologjisë është bërë e mundur që femra të gjejë veten në çdo industri apo operacion, qoftë të prodhimit apo pjesët tjera menaxheriale”, tha Vula.

Vula më tutje shtoi se aktualisht gratë janë prezente në këtë lloj industrie me 15 për qind.

“Inkurajoj të gjitha femrat që dëshirojnë të punojnë në industrinë e përpunimit të drurit të mos hezitojnë të përmirësojnë njohuritë e tyre përmes një praktike dhe më pas të punësohen si të involvuara në këtë industri , sepse ka vend dhe hapsirë në këtë lloj aktivitetiti”, deklaroi Vula.

Ndërsa Nora Zhilivoda, drejtoreshë e Shoqatës së Tekstilit “Kama” tha se është optimiste sa i përket pjesëmarrjes së grave jo vetëm në tekstil por edhe në sektorë të tjerë.

“Shpresoj dhe besoj se përqindja e femrave do të rritet jo vetëm në këtë sektor, por edhe në sferat tjera. Atyre u duhet kurajo dhe këtë do ta kenë si nga Shoqata e Kosovës për Marketing, po ashtu edhe nga unë”, tha Zhilivoda.

Ajo gjithashtu foli edhe për dizajneret Yllka Brada, Blerina Kllokoqi-Rugova, Kaona Duriqi, Njomza Luci dhe Nadire Zymberi dhe sukseset e tyre në vend dhe Europë.

“Është me rëndësi të vëmë në pah se ekziston një numër i konsiderueshëm i dizajnereve të cilat kanë arritur të bëjnë bujë si në Kosovë ashtu edhe në vendet e Europës”, tha Zhilivoda.

Në dhjetor të vitit të kaluar Agjencia e Statistikave të Kosovës në publikimin “Gratë dhe Burrat në Kosovë” konstatoi se në vitin 2015 vetëm 5 për qind të grave kishin pronë të regjistruar në emrin e tyre.

http://kallxo.com/vetem-5-per-qind-te-grave-kane-prone/