Foto: LDK

Delawie e Apostolova me Deputetët e LDK-së për Demarkacionin

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës të prirë nga Kryetari i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti,  u takuan në takime të ndara me Ambasadorin e SHBA- ve, Greg Delawie dhe Shefen e Zyrës së BE, Natalia Apostolova.

Në takime u bisedua për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë në procesin e Ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, thuhet në komunikatën e Grupit parlamentar të LDK-së.

Në komunikatë thuhet se si ambasadori Dellawie  ashtu edhe znj. Apostolova,  vlerësuan lart kontributin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë proces dhe konsistencën për integrimet euroatlantike.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ritheksoi edhe një herë qëndrimin e LDK–së sa i përket procesit të ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe konfirmoi votën unanime pro të Grupit Parlamentar.

Gjithashtu z. Hoti e cilësoi të çmueshme mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  dhe shteteve të BE- së gjatë këtij procesi dhe i falënderoi ata për mbështetjen që po i japin vendit.

Në takimet me ambasadorin Delawie dhe znj. Apostolova  morën  deputetët Vjosa Osmani, Armend Zemaj, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, Anton Quni, Ismet Beqiri dhe Mimoza Kusari – Lila.

Foto: LDK