Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të Zejnepe Buzhalës - Foto: KALLXO.com

Del para gjyqit Zejnepe Buzhala, e akuzuar se vuri në lajthitje Komunën e Drenasit

Në gjykimin e Zejnepe Buzhalës, e akuzuar për legalizim të përmbajtjes së rremë, pala mbrojtëse ka paraqitur kundërshtimet në raport me aktakuzën e ngritur.

Buzhala akuzohet se vuri në lajthitje Komunën e Drenasit për një dokument që do t’i shërbente për një çështje gjyqësore.

Mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Ibrahim Dobruna tha se aktakuza është e ngritur në bazë të provave të papranueshme dhe që nuk kanë mbështetje në baza ligjore që lejojnë që një provë të jetë e pranueshme.

“Ky propozim i mbrojtjes lidhet me rrethanat faktike dhe bazën juridike të përcaktuara me dispozitat pozitive dhe para së gjithash me papranueshmërinë e provave në mbështetje të aktit akuzues ngase kjo aktakuzë është mbështetur në të gjitha ato shkresa të paraqitura të cilat nuk kanë mbështetje në pohim të pretendimeve e as në bazat ligjore që lejojnë që një provë të jetë e pranueshme në shqyrtimin kryesor në lidhje me këtë çështje”, deklaroi avokati Dobruna.

Madje, sipas avokatit, edhe raporti i ekzaminimit të kontratës është i paqëndrueshëm për shkak se gjatë këtij ekzaminimi nuk është bërë krahasimi i nënshkrimeve si të zyrtarit të ndërmarrjes banesore në Gllogoc i cili e ka përpiluar kontratën si dhe dorëshkrimi i të akuzuarës Zejnepe Buzhala.

“Është me rëndësi të theksohet se raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë për ekzaminimin e kontratës 26/ 06/15 është i paqëndrueshëm në përfundimet e saja sepse nuk është bërë analiza krahasuese forenzike e dorëshkrimit në kontratën objekt i ekzaminimit me dorëshkrimin e zyrtarit të ndërmarrjes publike banesore në Gllogovc që ka përpiluar kontratën dhe të dorëshkrimit të të dyshuarës Zejnepe Buzhala apo të personave që kanë pasur qasje në këtë dokument dhe kanë pasur motive për ndërhyrje në dokument në çfarëdo mënyre”, shtoi avokati.

Për shkak të këtyre pretendimeve avokati Dobruna i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, që aktakuzën ndaj të mbrojturës së tij ta hedhë dhe ta pushojë procedurën penale.

Ndërsa prokurori Blerim Igrishta Gjykatës i kërkoi që të hedh poshtë kërkesën e mbrojtjes pasi që sipas Prokurorisë mbrojtja nuk ka ofruar asnjë provë të besueshme me anë të së cilës do të dëshmohej se aktakuza e ngritur nga ana e Prokurorisë është e pabazuar, andaj në kuadër të kësaj i kërkoi Gjykatës që ta vërtetojë ligjërisht dhe të vazhdohet tutje me procedurën penale.

“Prokuroria e shtetit pas pranimit të kundërshtimit të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarës, të njëjtin e ka vlerësuar dhe konsideron se mbrojtja përkundër asaj që ka elaboruar çështjen në tërësi nuk ka ofruar ndonjë provë të besueshme me të cilën do të arsyetonte pranueshmërinë e provave të grumbulluara nga ana e Prokurorisë së Shtetit apo me të cilën do të dëshmonte se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Shtetit është e pabazuar dhe jo e mbështetur në dispozita ligjore”, deklaroi prokurori Blerim Igrishta, i cili më tej kërkoi nga Gjykata që të mos e aprovojë një kërkesë të tillë nga mbrojtja ndërsa aktakuzën e ngritur ta vërtetojë ligjërisht dhe të vazhdohet tutje me procedurën penale.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati deklaroi se e mbështet aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë, duke konsideruar se aktakuza është e ngritur konform ligjit duke u mbështetur në prova dhe bazuar në dispozita ligjore.

“E mbështesim në tërësi si palë e dëmtuar prokurorin e shtetit, lidhur me aktakuzën e parashtruar në këtë Gjykatë si dhe arsyetimet që tani i dha në këtë fazë procedurale, pasi që edhe ne konsiderojmë se aktakuza është ngritur në bazë të dispozitave ligjore, është e mbështetur në prova të pranueshme dhe si e tillë konsiderojmë se ka bazë të mjaftueshme ligjore që të shkojmë me shqyrtimin gjyqësor”, deklaroi avokati Kastrati.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të procesmbajtëses, kryetari i trupit gjykues Selman Salihi u detyrua që të bëjë një pauzë disaminutëshe në mënyrë që të zëvendësohej procesmbajtësja.

Sipas aktakuzës, Zejnepe Buzhala më 2 shtator të vitit 2012 ka vënë në lajthim organin kompetent të Komunës së Drenasit që në regjistër të vërtetojë një çështje të pavërtetë, të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore në atë mënyrë që ka vërtetuar kontratat mbi shfrytëzimin e banesës, ku në paragrafin e parë të kësaj kontrate nuk ekziston fjalia “Të Perk”, e cila ekziston në kontratën e marrë nga zyrtari i Komunës së Drenasit.

Me këtë, Prokuroria e ngarkon me veprën penale legalizimi i përmbajtje së rremë.

http://kallxo.com/neser-gjykimi-i-te-akuzuares-se-vuri-ne-lajthitje-komunen-e-drenasit/

Në bazë të aktakuzës, Buzhala në deklaratën e saj në Polici ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.