Fotografi nga ceremonia e djeshme e shpërndarjes së dekoratave në Shkup. Foto: Zyra e Presidentit

Dekoratat e Thaçit në Shkup Shihen si Ndërhyrje në Garën Zgjedhore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbi 100 personalitete shqiptare të fushave të ndryshme nga Maqedonia, por akti i tij, nga analistë e gazetarë në Shkup e Prishtinë po shihet si ndërhyrje në garën zgjedhore në Maqedoni.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre dekoratave të mbajtur në një hotel në Shkup, Thaçi ka thënë se ndjehet krenar që këto dekorata ndahen në prag të përvjetorit të 108- të të themelimit të Alfabetit të sotëm shqip në Kongresin e Manastirit.

Por dita kur Thaçi i ndau këto dekorata koincidoi me ditën e parë të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të cilat janë thirrur të mbahen më 11 dhjetor.

“Sot jam i lumtur dhe i privilegjuar që gjendem në mesin tuaj. 108 vite më herët, shqiptarët ende duke mos qenë të pavarur, vendosën që t’i japin kombit një orientim të qartë politik, historik,  kulturor e civilizues.  Ata, duke përzgjedhur një alfabet latin, edhe pse ende pjesë e Perandorisë Osmane, vendosën që të jenë me Perëndimin”, ka thënë Thaçi.

Në mesin e të dekoruara ishin edhe kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me shumë bashkëpunëtorë të partisë së tij dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Muajin e kaluar, një hulumtim i opinionit në Maqedoni tregonte se këto dy parti, më të vjetrat që përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni, janë të rrezikuara me votë nga lëvizjet e reja politike të shqiptarëve.

Preisdenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e BDi-së, Ali Ahmeti. Foto: Zyra e Presidentit
Preisdenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e BDi-së, Ali Ahmeti. Foto: Zyra e Presidentit

Sondazhi i publikuar nga Instituti për Hulumtime të Qeverisjes së Mirë tregonte se BDI e Ali Ahmetit, e cila është në koalicion qeveritar nga viti 2008, ishte edhe më tej partia më e madhe e shqiptarëve me 13.4 përqind të votave. Por një parti e re, Besa, është shumë afër BDI-së me 10.2 përqind.

http://kallxo.com/partite-e-vjetra-shqiptare-te-kercenuara-nga-te-rejat/

Gazetari nga Shkupi, Xhelal Neziri, tha për KALLXO.com se akti i Presidentit të Kosovës mund të konsiderohet si ndërhyrje në garën e brendshme politike të shqiptarëve në Maqedoni

“Maqedonia tani më është në fushatë zgjedhore andaj ky manifestim natyrisht se mund të vlerësohet edhe si një përkrahje e presidentit të Kosovës për dy partitë e vjetra shqiptare – BDI-në e Ali Ahmetit dhe PDSH-në e Menduh Thaçit”, tha Neziri.

Ai thotë se përkrahja e hashim Thaçit për këto dy parti vjen pikërisht në kohën kur BDI e PDSh ndihen të rrezikuara për nga mbështetja në elektorat.

“Kjo përkrahje vjen në momentin kur këto dy parti rrezikohen seriozisht nga iniciativat e reja politike. Presidenti Thaçi me këto mirënjohje dërgon një porosi te elektorati shqiptar në Maqedoni se midis cilëve opsione duhet të zgjedhin më 11 dhjetor, gjë që në fakt paraqet përfshirje më konkrete të presidencës kosovare në garën zgjedhore te shqiptarët e Maqedonisë”, tha Xhelal Neziri.

I të njëjtit mendim është edhe njohësi i politikës së shqiptarëve në Maqedoni, gazetari nga Kosova, Xhevdet Pozhari i cili për disa vjet ka punuar si gazetar në Shkup.

Presidenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçi. Foto: Zyra e Presidentit
Presidenti Hashim Thaçi dekoron kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçi. Foto: Zyra e Presidentit

Pozhari tha për KALLXO.com se Hashim Thaçi e shfrytëzoi përvjetorin e Kongresit të Manastirit “për t’i promovuar miqtë e tij”.

“Presidenti Thaçi si duket e ka kuptuar më së miri se tashmë ka filluar rënia e pushtetit të Ali Ahmetit që për 15 vite qeverisje rrënoi çdo vlerë shqiptare, shembi çdo standard të politikbërjes, qoftë ai politik apo moral. Andaj, ngutazi mundohet që shokëve të vet me dekorata t’ua mbulojë ‘turpin politik’”, tha Xhevdet Pozhari.

Sipas tij, dekoratat e Thaçit për personalitetet politike në Maqedoni në mes të garës zgjedhore, mund të ndikojnë në elektorat.

“Kjo ceremoni e ka për qëllim dëmtimin e partive të reja politike në Maqedoni ngaqë për një veprim të tillë i ka detyruar frika nga forcat e reja politike. Kjo tregon se Presidenti Thaçi nuk udhëhiqet nga interesat e shqiptarëve të Maqedonisë, por ka mbivendosur interesat e tij partiake mbi çdo interes tjetër”, tha Pozhari.