Deklarojnë Pafajësinë të Akuzuarit për Përgatitje të Sulmeve ndaj Izraelitëve

Të akuzuarit që planifikonin të sulmonin lojtarët dhe tifozët e Izraelit në Shqipëri dhe zyrtarët apo institucionet e sigurisë në Kosovë dolën para gjykatës për të dëgjuar aktakuzën që rëndon mbi ta.

Sipas aktakuzës që lexoi prokurorja e Prokurorisë Speciale Merita Bina-Rugova, katër prej të akuzuarve planifikonin të sulmonin futbollistët dhe tifozët e Izraelit.

“Të pandehurit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi  me dashje i janë përgjigjur thirrjes se pjesëtarit të organizatës ISIS, ish-udhëheqësit të shqiptarëve, Lavdrim Muhaxheri, që të kryejnë një vepër terroriste dhe i njëjti përmes kontakteve me të pandehurin Visar Ibishi me anë të aplikacionit Telegram, këtij të pandehuri i ka bërë thirrje që të kryejë sulmin terrorist në lojtarët dhe tifozët e Izraelit që duhej të vinin në Shkodër më 12 nëntor 2016”,  lexoi aktakuzën Merita Bina – Rugova.

Në këtë proces gjyqësor prokuroria akuzon Arton Ahmetin dhe Lulzim Gashin për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë.

Po në këtë rast, Kenan Plakaj akuzohet për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse, ndërsa Leotrim Musliu dhe Besart Peci akuzohen për armëmbajtje pa leje.

Pasi dëgjuan leximin e aktakuzës, të akuzuarit u deklaruan se janë të pafajshëm, me përjashtim të Arton Ahmetit, i cili pranoi fajësinë dhe vendimi  ndaj tij do të merret vetëm në fund të procedurës.

Pasi Ahmeti pranoi fajësinë, avokatja e tij Zahide Gjonaj kërkoi lirimin e tij nga paraburgimi.

Prokurorja Merita Bina- Rugova në fillim nuk e kundërshtoi propozimin e avokates, por kur gjyqtari Hamdi Ibrahimi ia kujtoi asaj se për çfarë akuzohet Ahmeti dhe me kënd ka komunikuar, prokurorja ndërroi mendim dhe e kundërshtoi kërkesën e avokates.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës për pranimin e fajësisë nga i akuzuari Ahmeti.

Megjithëse Ahmeti pranoi fajësinë, kërkesa e avokates së tij Zahide Gjonaj që t’i ndërpritej masa e paraburgimit u refuzua megjithëse fillimisht prokurorja nuk e kundërshtoi kërkesën e avokates, por pasi gjyqtari Hamdi Ibrahimi ja përkujtoi se për çka akuzohet Ahmeti dhe me kënd akuzohet se ka komunikuar,  prokurorja Bina-Rugova kundërshtoi kërkesën.

Të akuzuarit ngarkohen se nën udhëzimet e Lavdrim Muhaxherit përgatitën sulme terroriste ndaj lojtarëve dhe tifozëve të Izraelit, por edhe kundër rendit kushtetues të vendit.

Prokuroria pretendon se komunimi ishte kryer duke përdorur një aplikacion të internetit i cili supozohet se ishte i padëgjueshëm.

Arton Ahmeti dhe Lulzim Gashi e kanë shfrytëzuar të njëjtin aplikacion për të komunikuar me Lavdrim Muhaxherin me qëllim që gjatë tetorit të kryenin sulme terroriste brenda Kosovës.