Gjykimi për vrasjen në Ratkoc | Foto: KALLXO.com

Deklarohet i Pafajshëm për Vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Në Gjykatën në Gjakovë sot Feriz Hoti u deklarua i pafajshëm për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të këtij viti, kur qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin ta thyenin derën e marketit “Rama F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen, duke i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes,…” thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Seanca e radhës e këtij gjykimi u caktua më 9 janar 2018.

KALLXO.com shkroi më 17 maj për një person që u gjet i vdekur në Ratkoc të Rahovecit.

http://kallxo.com/gjendet-vdekur-nje-person-ne-ratkoc-te-rahovecit/