Pallati i Drejtësisë

Deklarohen të Pafajshëm Mjekët e Akuzuar për Keqpëdorim

Pas leximit të aktit akuzues nga ana e prokurores së shtetit, të dy doktorët u deklaruan se e kanë kuptuar aktakuzën dhe nuk e ndiejnë veten fajtorë.

Sipas aktakuzës, Kushtrim Gashi dhe Sabahate Gashi nga viti 2001 e deri me 20 maj 2015 në cilësinë e personave zyrtarë, mjekë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë kanë keqpërdoru detyrën zyrtare me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke vjedhur barna nga lista esenciale.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore në ordinancë specialistike kirurgjike-proktologjike, duke bërë ndërhyrje kirurgjike tek pacientët e ndryshëm, edhe pse të njëjtit janë në marrëdhënie pune në QKUK.

Aktakuza pretendon se mjekët Kushtrim e Sebahate Gashi i kanë sjellë vetes përfitime pasurore të kundërligjshme në vlerë 13.992 euro.

Pas mospranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve, prokurorja e rastit kërkoi nga gjykata të shkohet në shqyrtim të dytë, pasi që në bazë të provave do të vërtetohen pretendimet e aktakuzës.

Ndërsa Behar Ejupi, avokati i mjekut Kushtrim Gashi e kundërshtoi vazhdimin e procesit gjyqësor.

“Prokuroria nuk ka arritur te ofrojë asnjë provë për ta vërtetuar dyshimin e bazuar mirë, e sa i përket veprës se dytë për të cilën akuzohet i mbrojturi im, ajo nuk ekziston fare, andaj kërkoj qe te hidhet aktakuza,” deklaroi avokati Ejupi.

Edhe avokatja Merita Stublla-Emini mbrojtëse e të akuzuarës Sabahate Gashi, kërkoi nga gjykata që ta hedh poshtë aktakuzën ndaj të mbrojturës së saj.

Të akuzuarit u pajtuan me fjalën e mbrojtësve të tyre.

Pas këtyre deklarimeve, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj mori vendim qe shqyrtimi i dytë në këtë rast të mbahet më 23 shtator 2016.