Foto Ilustrim: Arkiva/KALLXO.com

Deklarohen të Pafajshëm 15 Policët e Akuzuar për Marrje Ryshfeti

15 zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut të Mitrovicës Jugore janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave për marrje ryshfeti.

Këta pjesëtarë janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Në nisje të shqyrtimit fillestar, të mbajtur sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, gjyqtari Avni Mehmeti i njoftoi të akuzuarit se është bërë veçimi i procedurës për policët e akuzuar.

Prandaj, sot u mbajt seanca ndaj 15 zyrtarëve policorë të Mitrovicës Jugore, të cilëve iu është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Në seancë ishin të pranishëm të gjithë policët e akuzuar: Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.

Ndonëse munguan avokatët Ruzhdi Maloku, Shefqet Ibrahimi dhe Zhivojin Jokanoviq dhe meqë seanca ishte shqyrtim fillestar të akuzuarit Sllavisha Spasiq, Sahir Hajdari dhe Bojan Saviq deklaruan se janë të gatshëm të vazhdojnë seancën edhe pa praninë e avokatëve mbrojtës.

Secili nga policët e akuzar u deklarua veç e veç se nuk e ndjejnë veten fajtor për akuzat që u vihen në barrë.

Pas kësaj, gjyqtari Avni Mehmeti i njoftoi palët që nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë, por palëve do t’u jepet mundësia e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave në afat prej 30 ditësh si dhe vendimin në lidhje me kundërshtimin në rast se do të këtë do ta marrë jashtë seancës gjyqësore.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se kanë përfituar për xhepin e tyre dhe i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe 20 pjesëtarë të Njësisë së Kontrollit të Autostradave të dyshuar për marrje ryshfeti.

20 të tjerë vijnë nga Njësia e Trafikut në Mitrovicën e Veriu, 15 nga Njësia e Trafikut në Mitrovicën e Jugut dhe 4 të tjerë nga Njësia e Trafikut në Prizren.

Sipas një hulumtimi të KALLXO.com, zyrtarët policorë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga ngasësit e ndryshëm në euro dhe dinarë serbë.