Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Deklarata e të Kërkuarit nga Turqia Para Gjykatës në Prishtinë

I kërkuari nga Republika e Turqisë, Ugur Toksoy,  i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

KALLXO.com ekskluzivisht sjell deklaratën e shtetasit turk që u arrestua në Prizren sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë të datës 16 dhe 19 tetor 2017.

I kërkuari nga Gjykata Penale e Shkallës së parë nr. 2 në Hatay, Toksoy, po kërkohet nga Republika e Turqisë pasi ndaj tij janë duke u udhëhequr hetimet në drejtim të veprës penale Organizata e armatosur nga neni 314 i Kodit Penal të Turqisë.

Toksoy, para Gjykatës Themelore të Prishtinës, mohoi çfarëdo lidhshmërie të tij me dyshimet e Prokurorisë Turke, teksa tha se dy vitet e fundit nuk ka qenë fare në Turqi.

“Unë qe dy vite nuk kam qenë në Turqi e as në Stamboll e as në Ankara dhe nuk kam marrë pjesë në këto lloj organizata. Kjo mund të shihet edhe në pasaportën time e cila vërteton se kur kam qenë në Turqi”, tha Toksoy.

Ai dyshohet të ketë lidhje me lëvizjen opozitare turke të drejtuar nga Fetullah Gulen që jeton në ekzil në SHBA dhe për të cilin autoritetet turke gjithashtu kanë lëshuar fletarrest.

Toksoy, gjithashtu mohoi kategorikisht të kishte bërë ndonjë transfer të parave në Turqi apo diku tjetër.

“Unë marr pagën time prej fondacionit Atmosfera dhe ato transferohen përmes bankës në llogarinë time dhe këto vijnë prej donatorëve”, tha Toksoy para gjyqtares Alltene Murseli.

I kërkuari nga Turqia gjithashtu mohoi çfarëdo lidhje me terrorin teksa u shpreh shumë i befasuar për arrestimin e tij.

“Unë nuk kam kurrfarë njohurish rreth kësaj, unë nuk kam kryer kurrfarë vepre penale”, tha Toksoy.

Krejt ndryshe nga pretendimi i prokurorisë, Toksoy tha se në Kosovë është në rolin e koordinatorit të fondacionit “Atmosfera”, ndërsa tha se kjo e fundit është kontrolluar thellësisht nga Ministria e Financave të Kosovës.

Në linjë me të mbrojturit e tij edhe avokati i Toskoyt, Adem Vokshi e cilësoi krejtësisht të pabazuar kërkesën për paraburgimin e të mbrojturit të tij.

“Kërkesa e dërguar nga Republika e Turqisë nuk jep asnjë provë sipas së cilës kish me u argumentua se i mbrojturi im i është bashkangjitur ndonjë organizate siç pretendojnë autoritetet turke”, citohet të ketë thënë avokati Vokshi.

Vokshi më tej në aktvendimin për caktimin e paraburgimit citohet ta ketë cilësuar politike kërkesën për ekstradim.

“Qëllimi i ekstradimit të mbrojturit tim ka karakter politik dhe gjykata e shtetit tonë nuk duhet ta lejojë një gjë të tillë sepse nuk janë përcaktuar kushtet e parapara me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtare në çështje penale”, tha Vokshi në seancën e paraburgimit.

Avokati Vokshi më tej ka kundërshtuar bazat mbi të cilat prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ali Rexha ka kërkuar paraburgimin.

“I mbrojturi im nuk mund të fshihet sepse autoritet e Kosovës kanë qasje në çdo moment tek ai. Asgjësimi i gjurmëve të veprës penale po ashtu nuk mund të bëhet sepse ajo për çka dyshohet  i mbrojturi im se dhënë donacione, janë prova që ekzistojnë tek bankat afariste dhe nuk mund të asgjësohen”, tha Vokshi në seancën e paraburgimit.

Krejt në fund, Vokshi tha se i mbrojturi i tij është një person që nga viti 2007 është në Kosovë me qëllim të edukimit dhe arsimimit  të brezave të ri dhe nuk ka asnjë precedent penal.

Me të gjitha këto pretendime, prokurori Rexha tha se qëndron prapa kërkesës për caktimin e paraburgimit, kërkesë që u miratua nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Alltëne Murseli.

I kërkuari nga Republika e Turqisë mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar paraburgimin ndërsa lidhur me ekstradimin apo jo të tij do të vendosë Gjykata Themelore e Prishtinës pasi të mbajë seancë për një gjë të tillë.