Ana Brnabiq. Foto: Beta/Darko Vojinovic.

Deklarata e Brnabiq për Autonomi të Veriut nuk Befason në Prishtinë

“Avancimi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani varet nga vetë Kosova, nëse do t’ua japë një lloj autonomie serbëve që jetojnë në veri”, ka deklaruar kryeministrja e sapoemëruar e Serbisë, Ana Brnabiq.

Për analistin Behlul Beqaj kjo deklaratë është e pritshme dhe tashmë kjo çështje ka hyrë në agjendën mes dy vendeve.

“Kohë më parë kam deklaruar se Asociacioni i Komunave Serbe është “Kali i Trojës” brenda Kosovës. Deklarata e kryeministres vetëm sa e vërteton supozimin tim lidhur me gabimin që është bërë”, tha ai për KALLXO.com.

Beqaj shtoi kthimi prapa është i vështirë, tashmë ka mbetur vetëm “emërtimi si zgjidhje politike”.

“.. ky gabim vështirë se mund të korrigjohet, meqë ka hyrë në agjendë. Çështje krejt tjetër është si do të emërtohet si zgjidhje politike”, tha ai.

Analisti Ramush Tahiri thotë se jetësimi i deklaratës së Brnabiq varet nga vullneti i dy palëve.

“Mundet me përfundu edhe me autonomi në veri, edhe me autonomi në Luginë të Preshevës e edhe me autonomi në Sanxhak. Varet kush çfarë kërkesa paraqet edhe sa është e gatshme me i pranu këto kërkesa”, tha ai.

Tahiri nuk sheh ndonjë rrezik nga realizimi i skenarëve të tilla.

“Shembull, nëse fiton autonomi në Sanxhak ne do ta kishim një aleat, nuk është e rrezikshme. As autonomi për Luginë të Preshevës nuk është e rrezikshme”, tha ai.

Sipas Tahirit, varet nga vullneti i palëve nëse dëshirojnë që një temë të tillë ta kenë në tavolinë të bisedimeve.

“Asgjë nuk është e imponueshme, krejt zgjidhjet janë ato që i nënshkruajnë dy palët dhe kalojnë në dy parlamentet e dy vendeve. Varet çka kërkon cila palë në tavolinë”, tha ai.

Ditë më parë, dialogu mes Kosovës e Serbisë kaloi në nivel presidentësh kur presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq u takuan në Bruksel për t’i dhënë fund një periudhe disamujore të ‘ngrirjes’ të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kalimi i dialogut në nivelin më të lartë politik do të finalizohet me një marrëveshje të madhe historike.

“Rifillimi i angazhimit të dy presidentëve kam besim se do të finalizohet me një marrëveshje të madhe historike të normalizimit e pajtimit Kosovë-Serbi”, tha ai.

“Tani mendojmë se ka ardhur një moment për rihapjen e një faze të re të dialogut në nivel më të lartë politik, më të fuqishëm substancial që do të dërgonte drejt një normalizimi të plotë mes shteteve dhe popujve tanë”, tha ai.