Foto: Ilustrim

Deficiti tregtar ‘nuk e bën hesap’ eksportin, thellohet rreth 11%

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se tregtia e jashtme në prill 2018 ka regjistruar një deficit më të lartë për 10.9 për qind në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Përkthyer në shifra, deficiti në prill 2018 është 244.7 milionë euros, e në prill të vitit të kaluar 220.6 milionë euro.

ASK thotë se eksporti mbulon importin me 9.4 për qind.

Agjencia e Statistikave bën të ditur se eksporti i mallrave në muajin prill 2018 kishte vlerën 25.5 milionë euro, ndërsa importi 270.3 milionë euro, që është një rënie prej 18.2 për qind për eksport dhe një rritje prej 7.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Edhe në muajin prill, produktet minerale, gomës dhe plastikës kontribuuan më shumë.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.5% e përbëjnë produktet minerale; 15.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.6% e përbëjnë produktet bimore; 3.9% e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 3.9% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij; 3.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.”, thuhet në publikim, përderisa Kosova importoi më shumë produkte minerale, makineri dhe pajisje mekanike.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.9% të importit e përbëjnë  produktet minerale; 12.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 5.2% e përbëjnë produktet bimore etj.”, thuhet në komunikatë.

Kosova ka shënuar rritje të shkëmbimit tregtar me vendet BE-së, duke pasur partner kryesor Gjermaninë.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8.1 milionë euro, ose rreth 31.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.1%), Britania e Madhe (4.9%), Holanda (4.3%), Italia  (2.8%) dhe Bullgaria (2.3%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 115.4 milionë Euro, ose 42.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.3%), Italia (5.7%), Greqia (4.1%), Sllovenia (2.8), Polonia (2.8%) etj., thuhet në komunikatë.

Tutje komunikata tregon edhe raportin e shkëmbimit tregtar të Kosovës me vendet e  CEFT-as.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018 arritën në 13.8 milionë euro, ose 54.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 17.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (21.7%), Maqedonia (14.9%) Serbia (9.1%), dhe Mali i Zi (5.9%)”, tregon  komunikata.

Sipas ASK-së, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018 arritën në 72.4 milionë euro, ose 26.8 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 13.7 për qind, Maqedonia 5.3 për qind, Shqipëria 4.9 për qind dhe B&H 2.4 për qind.

Në raport me vendet tjera të botës, Kosova më shumë importon nga Turqia dhe Kina dhe eksporton në Zvicër por edhe në Turqi.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.5 milionë euro, ose 14.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.2%) dhe Turqia (3.3%)”, njofton Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 82.4 milionë euro, ose 30.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.4%) dhe Kina (6.9%)”, bën të ditur komunikata e ASK-së.