Pamje nga tryeza për demarkacionin - Foto: youtube

Debati për Demarkacionin Përfundon me Divergjenca të Mëdha

Pas fiks 12 orësh ka përfunduar debati mes Komisionit Shtetëror dhe Grupit të Ekspertëve për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Iniciuesi i këtij debati, Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK-së, tha se pas tërë debatit divergjencat mes dy palëve kanë qenë shumë të mëdha.

“E dimë që Komisioni ka bërë punën e vet, por e vërejmë që divergjencat janë relativisht të mëdha. Le të mbetet te deputetët ta vlerësojnë punën ekspertëve e Komisionit. Kjo ka qenë esenca e debatit”, tha ai.

Ndërsa, në fjalën e tij përmbyllëse, anëtari i Komisionit Shtetëror, Besim Kajtazi tha se ky Komision nuk ka bërë hartë të re, e as nuk e ka ndryshuar vijën kufitare.

“Bazuar në të gjitha faktet juridike, hartografike, kadastrale, statistikore për shënimin e kufirit me Malin e Zi me përgjegjësi të plotë themi se që kufiri që nga viti 1974 deri më sot është i pandryshueshëm. Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror nuk ka krijuar hartë të re për zonat kufitare, nuk ka ndryshuar territor të zonave kadastrale kufitare, nuk ka ndryshuar territor të komunave kufitare, nuk ka ndryshuar vijën administrative të vitit 1988 dhe nuk ka ndryshuar vijën kufitare as territorin e Kosovës as për një metër të vetëm”, tha ai.

Kajtazi konstatoi se propozimi për shënimin e vijës kufitare nga dy komisionet shtetërore nuk e favorizon as nuk e dëmton Republikën e Kosovës për asnjë metër katror.

Më pas, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, në emër të 24 deputetëve nënshkrues, lexoi edhe katër konkluzat e ekspertëve: Komisioni Shtetëror ka bërë disa lëshime, të cilat janë konfirmuar në këtë debat; Kufiri nuk është i bërë gabim në tërë gjatësinë e vet, përveç në disa segmente (mbi 8 mijë hektarë që janë kontestuese) dhe propozojmë që këto segmente të kthehen sipas Kushtetutës së vitit 1974; Materiali të rishikohet, rianalizohet dhe rinegociohet; në seancën e ardhshme plenare të asistojnë miqtë ndërkombëtarë për të garantuar një frymë më të mirë që këto lëshime të rishikohen në frymën e miqësisë.

Krejt në fund, kryeparlamentari Veseli duke i falënderuar të gjithë, tha se sot mësuan sa mirë mund ta dëgjojnë njëri-tjetrin edhe kur nuk pajtohen.

“Pavarësisht divergjencave besoj që më së shumti kanë fituar qytetarët e vendit. Sonte kemi treguar sa mirë mund ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të na dëgjojnë të tjerët”, tha ai.

Ai shtoi se çdo vendimmarrje tutje do të jenë në forcimin e shtetit dhe interesat e qytetarëve dhe orientimin pro SHBA-së dhe Evropës.

E drejtuesi i këtij debati, Xhavit Haliti, bëri bilancin 12-orësh.

“Sot kanë diskutuar 55 debatues, janë thënë 3 fjalë rasti, 2 fjalë ambasadorësh, 2 fjalë ministrash dhe fjalët e komisioneve”, theksoi ai.

http://kallxo.com/gati-te-nise-tryeza-shkencore-per-demarkacionin/