David Schwendiman. Foto: Zyra e Prokurorit të Specializuar.

David Schwendiman Mbron Gjykatën Speciale në Fjalimin Lamtumirës

Në fjalimin e tij të largimit nga posti i Prokurorit të Specializuar të Kosovës, David Schwendiman, tha se mbledhja e provave dhe lokalizimi i dëshmitarëve për të paditur ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte qenë e vështirë.

Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, David Schwendiman, tha të enjten se zyra e tij kishte mbledhur një sasi të madhe provash – por përsëriti se gjykata nuk ishte ngritur për të “ndryshuar historinë” apo për të nxjerrë në gjyq një etni.

Gjatë kohës së tij në detyrë, zyra e tij grumbulloi rreth 700,000 faqe dokumente, rreth 6,000 video, transkriptime dhe sende të tjera gjatë hetimeve të krimeve të mundshme të luftës, tha Schwendiman.

Dokumentet dhe sendet po vlerësohen tani për të përcaktuar vlerën e tyre si prova, tha Schwendiman për Qendrën Grotius të Universitetit Leiden në Hagë.

“Ne duhet ta bëjmë atë të drejtë dhe ta bëjmë mirë për t’u siguruar që të përmbushim standardin dhe të shmangim vonesat e mëdha më vonë,” tha ai në fjalimin e tij të fundit përpara se të largohet nga posti më 31 mars.

Schwendiman tha se Prokurori i Specializuar është gjithashtu përgjegjës për të ndihmuar viktimat të arrijnë të drejtat që u takojnë atyre.

Kjo përfshinte “detyrimin për të hetuar si duhet vdekjen dhe zhdukjen e viktimave të krimeve brenda mandatit të Prokurorit të Specializuar dhe për të lokalizuar, zhvarrosur dhe identifikuar personat që rezultojnë ende të zhdukur, në mënyrë që atyre t’u rikthehet identiteti i tyre dhe të rikthehen tek ata që u mbijetuan këtyre krimeve,” tha Schwendiman.

Duke kundërshtuar kritikat ndaj gjykatës në vetë Kosovë, ai shtoi se puna e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara nuk ishte një sulm ndaj një “narrative historike siç është ajo e pavarësisë së Kosovës apo ajo e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Qëllimi nuk ishte “të ndryshojmë historinë, ose të sulmojmë një narrativë, një organizatë, një grup apo një përkatësi etnike. Synimi ynë i vetëm është të bëjmë atë që ligji dhe provat na lejojnë të bëjmë për t’i vënë njerëzit para vetë akteve të tyre,” tha Schwendiman.

“Nëse organizatat të cilat individët u përkisnin apo kontrollonin ose drejtonin diskreditohen, janë krimet e individëve të marra së bashku ose më vete që janë shkaku, jo akti i hetimit apo gjykimit të tyre,” shtoi ai.

Schwendiman shprehu zhgënjim se ai nuk do të jetë në gjendje të përfundojë punën e tij, pasi po tërhiqet, por e quajti largimin e tij “një ndryshim personeli, jo një ndryshim në politikën amerikane”. Kwai Hong Ip, zëvendësi i Schwendiman, do të marrë përsipër detyrën e Prokurorit të Specializuar.

Schwendiman u emërua në vitin 2016 si Prokuror i Specializuar. Më parë ai udhëhoqi Task Forcën Speciale Investiguese të BE-së (SITF), e cila hetoi krimet e dyshuara nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në luftën e vitit 1999 pas të cilës ish-provinca serbe u bë e pavarur.

Dhomat e Specializuara do të dëgjojnë çështje që ngrihen nga raporti i Task Forcës Speciale Investigative të BE-së, SITF, 2014 i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me akuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Krimet e dyshuara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti i SIFT u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili pretendonte se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Thaçi i mohoi akuzat.

Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Negociatat për themelimin e gjykatës zgjatën nga viti 2011 deri në vitin 2015.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë në fund të viteve 1990, komuniteti ndërkombëtar ka administruar drejtësinë në Kosovë, por rezultatet e kësaj kane qenë të dobëta – janë dhënë më pak se 20 vendime përfundimtare për raste krimesh lufte.

Megjithatë, besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund të trajtonte çështje të ndjeshme kundër ish-zyrtarëve të lartë të UÇK-së, që ishte edhe një nga arsyet pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të ngrinte një gjykatë të re.

Në Kosovë, gjykata shihet si e njëanshme duke qenë se do të gjykojë vetëm ish-luftëtarë të UÇK-së, që nga shumica e shqiptarëve të Kosovës shihen si forca që çliroi vendin nga sundimi serb.

Ndërsa në Serbi, gjykata ka mbështetje të gjerë për shkak të shpresave se do të ndjekë penalisht krimet kundër serbëve.