Departamenti Amerikan i Shtetit

DASH: Pesë Kosovarë Shkuan në Siri në 2016-ën

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për terrorizmin për vitin e kaluar megjithëse konstaton se Kosova i caktoi vetes detyrë të ndalojë shkuarjen e kosovarëve në luftën e Sirisë, konstaton se në 2016-ën pesë kosovarë arritën të shkojnë në shtetin e përfshirë nga lufta civile.

“Në vitin 2016, policia kufitare e Kosovës në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe Turqinë, identifikoi dhe ndaloi të paktën pesë veta që të udhëtojnë për në Siri dhe një qytetar u arrestua pas kthimit nga zona e konfliktit. Megjithatë, të paktën pesë veta arritën në Siri”, thuhet në raportin e DASh-it për Kosovën.

Raporti më tutje konstaton se 315 kosovarë shkuan në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in, ose Al Nusran, ndërsa 58 prej tyre u vranë.

Vitin e kaluar ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni kishte përmendur një periudhë nëntëmujore në të cilën asnjë kosovar nuk kishte shkuar në luftën e Sirisë.

http://kallxo.com/hyseni-asnje-kosovar-nuk-ka-shkuar-ne-siri-qe-nente-muaj/

Departamenti i Shtetit vlerëson luftën kosovare kundër terrorizmit.

“Qeveria e Kosovës po zbaton një strategji gjithëpërfshirëse dhe një plan veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Drejtoria kundër terrorizmit e Policisë së Kosovës po shton mundësitë e saj duke rritur personelin dhe duke zhvilluar njësinë e kundër terrorizimit kibernetik”, thuhet në raport.

Raporti bën me dije edhe bashkëpunimin antiterrorist kosovaro-amerikan .

Raporti vë në pah edhe sfidat që mbesin në rrugën e forcimit të mundësive të autoriteteve për t’u përballur me terrorizmin duke përfshirë edhe faktin që Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

Raporti tërheq vërejtjen se anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, përshirë Kombet e Bashkuara është bllokuar nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe kjo dëmton bashkëpunimin në shumë çështje, përfshirë edhe kundër terrorizmit.

Raporti përmend edhe arrestimet dhe dënimet e të akuzuarve për terrorizëm.

“Gjatë vitit 2016, autoritetet e Kosovës arrestuan 32 veta nën akuzat që lidhen me terrorizmin, përfshirë 18 veta në muajin nëntor. Autoritetet shpallën dënime në disa raste të profilit të lartë, përfshirë dënimin e shtatë vetave më 42 vjet heqje lirie në muajin maj dhe katër vetave me 49 vjet në muajin qershor për përfshirje në ISIS. Po ashtu autoritetet pezulluan veprimtaritë e 21 organizatave Joqeveritare të dyshuara për mbështetje të ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në raport.

Raporti konstaton se Kosova “ka dëshmuar vullnet politik për t’u përballur me kërcënimet nga terrorizmi dhe shteti ka kuadër ligjor për ta bërë këtë”.

Në raport përmendet edhe sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit 2016.

“Më 4 gusht, sulmues të panjohur kanë gjuajtur granatë dore në ndërtesën e Parlamentit të Kosovës. Nuk kishte viktima, por eksplodimi shkaktoi disa dëme materiale”, sqarohet në raport.

Raporti tregon se Kosova e ka ligjin që “ndalon përfshirjen e qytetarëve të saj në ushtritë e huaja, policitë apo formacionet paraushtarake jashtë territorit të Kosovës duke paraparë dënime deri në 15 vjet heqje lirie për rastet e tilla”.