Foto: Facebook

Dardan Sejdiu Dorëhiqet nga Funksionet Partiake

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Sejdiu ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë dhe të gjitha pozitat udhëheqëse në LVV.

Përmes një letre që ai i ka dërguar Kryesisë së LVV-së, ka sqaruar arsyet për dorëheqje, në të cilat hyn edhe ftesa e vonshme për të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të kryesisë.

KALLXO.com ka konfirmuar dorëheqjen përmes burimeve brenda partisë, ndësa për dorëheqjen ka shkruar edhe RTV 21.

Sejdiu  ka përmendur përçarjet e fundit që ndodhën brenda kësaj partie, që quan edhe në dorëheqjen e Visar Ymerit, nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes Vetëvendosje, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, i cili kohëve të fundit ka një intensitet më të shtuar e mediatizim të dëmshëm”, shkruhet në letrën e publikuar në media.

Ai ka thënë se tani e tutje do të mbesë vetëm anëtar dhe deputet i Vetëvendosjes.

“Si pasojë, kam vendosur që nga sot të japë dorëheqje të parevokushme nga të gjitha nga pozitat e mia drejtuese, në Lëvizjen Vetëvendosje, nga posti i Nënkryetarit të parë të lëvizjes, nga Kryesia e Lëvizjes dhe nga anëtari i Këshillit të Përgjitshëm të lëvizjes. Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në përputhje me bindjet e mija”, shkruhet në letër.

Letrën e Sejdiut të postuar nga RTV 21 mund ta lexoni në vijim.