Dardan Molliqaj Reagon Ndaj Akuzave të Ismajl Kurteshit për 'Takime Ilegale'

Ish sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas deklaratave të djeshme të ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj partie, Ismajl Kurteshi, se Molliqaj po takohet ilegalisht me aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurteshi mbrëmë ka thënë se deputeti Molliqaj po takohet ilegalisht me aktivist të Vetëvendosjes dhe po deklaron që do të bëjnë një çarje të madhe në këtë parti.

“Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, kishte shkruar Kurteshi mbrëmë.

Mirëpo sot iu është përgjigjur Molliqaj. Ai e ka pranuar se është takuar me aktivistë të Vetëvendosjes në Pejë e Deçan, por që nuk është diskutuar për ato çfarë Kurteshi ka deklaruar.

“Dy takime i kemi mbajtur me strukturat e Lëvizjes në Pejë dhe Deçan. Të parin në një restorant ndërsa të dytin në zyra të Lëvizjes. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë diskutimi i gjendjes në të cilën gjendet Lëvizja dhe jo ajo që pretendohet në deklaratën e Kurteshit”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Sipas tij, Kurteshi në vazhdimësi po e bënë këtë gjatë shoqërimit që po i bënë Albin Kurtit.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kurteshi ka deklaruar se çdo kush që është në Vetëvendosje nuk mund të nis aktivitete për krijimin e një partie tjetër.

“Ajo nuk ka qenë diçka në rregull për mua. Edhe takimet edhe çka do qofshin  janë krejt në rregull, mirëpo na edhe me statut e kemi që një njeri nuk mundet me qenë në të njëjtin kohë edhe në Vetëvendosje edhe në një parti tjetër ose me qenë në Vetëvendosje dhe ma ia nis aktiviteteve me kriju një subjekt të ri politik”, tha Kurteshi për KALLXO.com

Ndërsa Molliqaj ka pyetje për Lëvizjes Vetëvendosje duke pyetur se a është ky qëndrimi i kryesisë dhe si mund të kë kërkohet për të biseduar kur ka sulme të tilla.

“Nëse po, atëherë si t’i kuptojmë thirrjet për të biseduar kur në të njëjtën kohë na bëhen sulme kaq të ulëta? Nëse jo, kur do të distancohet kryesia e Lëvizjes nga kjo deklaratë skandaloze?”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së kësaj partie dhe grupit parlamentar u deklarua se ka mospajtime të mëdha ndërmjet ty grupeve të krijuara tashëm në Vetëvendosje.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-ka-mospajtime-te-medha/

Madje ish kryetari, Visar Ymeri ishte shprehur se ka shumë pak shpresë për marrëveshje

http://kallxo.com/visar-ymeri-pashprese-per-marreveshje/