Dardan Molliqaj, VV. Foto: Kallxo.com

Dardan Molliqaj: PZAP merr Vendime Amatore

Dardan Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje është ankuar për vendimet e marra nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa në zgjedhjet e 22 tetorit.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ Molliqaj tha se ky panel ka marrë vendime të gabuara dhe të paarsyshme që nuk kanë sjellë kurrfarë dobie.

“PZAP-i është seni ma  i keq që po  i ndodh zgjedhjeve, mënyra qysh i marrin vendimet ata është amatere, katastrofë. Unë sot mundem me bo një shkelje në emër të PDK-së, me marr një poster me ngjit diku me ja qu edhe ata e dënojnë PDK-në”, tha Molliqaj.

Për fushatën e bërë në zgjedhjet e fundit lokale, PZAP ka marrë vendime dënuese në vlerë prej 100 mijë e 100 euro për shumicën e partive politike në vend, vetëm nga ankesat e BIRN dhe Internews Kosova.

Shumica e dënimeve kanë qenë lidhur me përdorimin e fëmijëve në fushatë, ndërkaq vetëm Lëvizja Vetëvendosje është dënuar në total në vlerë prej 3 mijë e 500 euro nga ankesat e BIRN/IKS.

Përderisa, Molliqaj i konsideron dënimet e paarsyeshme, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës mendon se këto dënimë kanë shërbyer për të mirë.

“Ka pasë efekt pozitiv, në dy elemente. Për të mos pasur postera, e para, e dyta kanë vendosur për të mos marrë fëmijë prej shkollave për me i dërgu nëpër tubime”, tha Gashi.

Në debat për zgjedhjet lokale morën pjesë Blerta Deliu nga PDK, Arben Gashi nga LDK, Dardan Molliqaj nga LVV dhe Besnik Tahiri nga AAK.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: