Dalin Para Gjykatës të Akuzuarit për Vrasjet te Restorant “Shega”

Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve Besim Istrefi, Besart Istrefi dhe Jeton Saraqi më ç’ rast është paraqitur fjala hyrëse.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.03.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim Istrefi, Besart Istrefi për vrasje të rëndë, Besartin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Jeton Saraqin prokuroria e akuzon  për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim i dokumenteve.

Sipas Prokurorisë, më 02.05.2014 rreth orës 23:30 në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit, në restorant “Shega” ishin vrarë dy persona dhe dy të tjerë kishin mbetur të plagosur.

Të vrarë kishin mbetur Naim Gërvalla nga fshati Raskovë i Obiliqit dhe Lutfi Saraçi nga fshati Bivolak i komunës së Vushtrrisë. Ndërsa të plagosur kishin mbetur pronari i lokalit “Shega” Besim Istrefi dhe djali i tij Besart Istrefi.

Deri tek të shtënat në këtë rast kishte ardhur pas një mosmarrëveshje të çastit.

Seanca e sotme vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorisë dhe të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve. Edhe në këtë seancë të gjithë të akuzuarit u deklaruan se ndihen të pafajshëm.

Por prokurorja e këtij rasti, Habibe Salihu, në fjalën e saj hyrëse, tha se aktakuza është me bazë ligjore.

“Aktakuza kundër të akuzuarve është hartuar me bazë ligjore dhe në bazë të provave. Propozojnë Gjykatës që këto prova të administrohen dhe pas administrimit të këtyre provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarve, të dëmtuarve, do të vërtetohen veprimet e të akuzuarve ashtu siç janë përshkruar në aktakuzë”, tha Habibe Salihu.

Pas prokurores, fjalët e tyre hyrëse i paraqitën edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Ali Beka – avokati i Besim Istrefit, tha se prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë tezën e aktakuzës.

“Prokuroria ka paraqitur aktakuzë ku nuk ka asnjë provë bindëse dhe nuk mund ta vërtetojë tezën e aktakuzës, dhe veprimet e të mbrojturit tim kanë qenë në mbrojte të nevojshme dhe mbrojta e nevojshme nuk paraqet vepër penale”, tha Beka.

Haxhi Millaku – avokat i të akuzuarit Besart Istrefi, e mbështeti deklarimin e avokatit Beka, duke thënë se në këtë rast ka të bëjë me institutin e mbrojtjes së nevojshme.

“Krahasimi i provave materiale me ato verbale bie në përfundim me institutin e tipit shkollor të mbrojtjes së nevojshme. Është fakt se jetën e kanë humbur dy persona dhe gjykata duhet të vlerësojë kontributin e sulmuesve”, tha avokati Millaku.

Nuhi Paqarizi – avokati  i të akuzuarit Jeton Saraqi, tha se provat për të mbrojturin e tij nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij.

“Provat nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin tim. Gjatë shqyrtimit gjyqësor ne do të procedojmë me prova materiale dhe dëshmitar. Asnjë nga dëshmitarët nuk kanë thënë se i mbrojturi im ka pasur armë vetëm se ai është gjendur në vendin dhe kohen e caktuar”, tha avokati Paqarizi.

Pas përfundimit të seancës, për KALLXO.com, avokati i Besim Istrefit Haxhi Millaku deklaroi se aktakuza është e pabazuar.

“Paraqitëm kundërshtimet tona se pse kjo aktakuzë është  e pabazuar dhe nuk ka mbështetje në prova. Provat të cila i ka gjykata na qojnë në përfundimin se babë e bir,  Istrefi kanë vepruar në vetëmbrojtje dhe mbrojta e tyre ka qenë e nevojshme sepse detyrimisht kanë qenë të provokuar me armë dhe proporcionaliteti i armëve ka qenë ashtu siç e parasheh ligji”, tha Millaku.

Millaku tha se të gjitha provat tregojnë për mbrojtje të nevojshme

“Ne përsëri edhe sot i kërkuam Gjykatës që të lirohen nga akuza. Përshkrimi faktik dhe provat e sjella nga prokuroria përputhen në kuptim të plotë me standardin e mbrojtës së nevojshme”, tha Millaku.