Ivica daçiq, ministër i Jashtëm i Serbisë. Foto: Beta

Daçiq Pranon ‘Gabimin’ për Largimin nga Samiti i Varshavës

Ministri i jashtëm serb Daçiq tha në një konferencë për shtyp të enjten se ai mund të ketë bërë gabim që u largua nga një takim në Varshavë prej komenteve që ai tha se ishin bërë  nga homologu i tij i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Mund të kem bërë një gabim, por në atë moment ashtu u ndjeva,” tha ai.

“[I thashë] ‘nëse mund të punosh pa Serbinë, bëje’ dhe u largova nga takimi. Nuk kisha synim të dëgjoja leksioneve nga ata që kryen krime ndaj serbëve,” tha ai të enjten duke iu referuar shqiptarëve të Kosovës.

Daçiq u largua sepse ministri i Kosovës mendohet të ketë thënë se “serbët janë fajtor për të gjithë luftërat në ish-Jugosllavi dhe për gjenocid”.

Ai shtoi se kur shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe të ftuar të tjerë nuk reaguan ndaj deklaratës së Hoxhaj, ai vendosi të largohej.

Takimi i përvitshëm i Katërshes së Visegradit, që bashkon Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë, kryesuar nga Polonia, u organizua në Varshavë më 29 nëntor.

Në takim morën pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia – që në nëntor 2015 ranë dakord të krijojnë një Fond të Ballkanit Perëndimor bazuar në modelin e Fondit Ndërkombëtar të Visegradit.

Samiti i Varshavës pa pjesëmarrjen e vendeve si Kroacia, Italia, Bullgaria dhe Rumania si dhe të Mogherinit në emër të BE-së.

Ministria e jashtme polake i tha BIRN se si mikpritëse neutrale e ngjarjes, nuk donte të komentonte në lidhje me diskutimin dhe sjelljet e të ftuarve.