Daçiq: Zgjedhjet Serbe edhe në Kosovë

Nga oborri i Manastirit të Graçanicës, shefi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare serbe të 24 prillit do të mbahen edhe në territorin e Kosovës.

Para gazetarëve dhe përkrahësve të tij të mbledhur në Graçanicë, ministri aktual serb i Punëve të Jashtme foli edhe për trashëgiminë kulturore.

“Të gjithë duhet ta dinë të vërtetën se kishat janë kisha serbe dhe se Serbia e ka fjalën e fundit rreth tyre”, ka thënë ndër të tjera lideri i SPS-së.

Drejtuesit e partive serbe duket se kanë zgjedhur të dielat për të ardhur në Kosovë për të zhvilluar fushatë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 24 prillit që mbahen në Serbi.

Një javë më parë, qytetarët e komunitetit serb i ka vizituar edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq. Shefi i Qeverisë serbe është takuar me qytetarët e komunitetit serb në komunat veriore të Kosovës.

13:47

Disa qindra qytetarë të komunitetit serb janë mbledhur në Graçanicë për ta pritur kryetarin e Partisë Socialiste Serbe (SPS), Ivica Daçiq, i cili vjen për të takuar qytetarët serbë të Kosovës në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare që në Serbi do të mbahen më 24 prill.

Dhjetëra qytetarë me flamuj dhe fanella me ngjyrat dhe simbolet e partisë të cilës dikur i ka prirë Sllobodan Millosheviq janë mbledhur para manastirit të Graçanicës për ta pritur njeriun që aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm serb.

dacic1 dacic2 dacic3 dacic4 dacic5