Daçiq Demanton Tahirin

Para qindra qytetarëve serbë të Graçanicës dhe shumë gazetarëve të interesuar, ministri i Jashtëm serb dhe shefi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, nga oborri i Manastirit të Graçanicës tha se çështja e UNESCO-s dhe trashëgimia kulturore serbe janë çështjet për të cilat ai po vizitonte sot Kosovën.

“Sot i kam vizituar kishat dhe vlerat tona kulturore të cilat gjenden nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ju e dini që ne kemi arritur një fitore të madhe duke e parandaluar edhe një hap tjetër të njëanshëm të palës kosovare, e cila pa kurrfarë marrëveshje me ne ka tentuar të arrijë anëtarësinë e plotë në UNESCO”, tha Daçiq.

Më tej Daçiq theksoi se në samitin e OSBE-së në Beograd kishte marrë kritika pse kishte lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por tha se kjo është një gjë e natyrshme sepse ai vetëm ka mbrojtur interesat e popullit serb.

Ivica Daçiq gjithashtu në prononcimin e tij para gazetarëve tha se tani pret që të realizohet Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë, të cilën e kanë nënshkruar me tashmë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e që tani po e vazhdojnë Aleksandar Vuçiqi dhe Isa Mustafa.

Daçiq, në deklaratën e tij i bëri thirrje kishës që me simotrat e saj, përfshirë këtu edhe Vatikanin, të ruajnë traditën serbe në Kosovë.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo trashëgimi të shndërrohet në Kishë Ortodokse Shqiptare. Kjo është trashëgimi kulturore serbe në Kosovë dhe si e tillë duhet të vazhdojë të qëndrojë nëse duam që ta ruajmë popullin serb në Kosovë”, tha Daçiq.

Një çështje tjetër për të cilin Daçiq u deklarua ishte edhe çështja e krimeve të luftës. Ai nuk tregoi shenja pendimi për krimet e luftës në Kosovë duke thënë se ka ardhur të flasë për trashëgiminë kulturore e religjioze.

“Sa i përket krimeve të luftës, ekzistojnë gjykatat të cilat merren me atë çështje. Ato gjykata duhet të vlerësojnë se kush ka bërë krime lufte. Askush nuk ka bërë krime lufte në emër të shtetit të Serbisë. Ka emra dhe mbiemra të përveçëm të cilët janë subjekt i gjykatave të tilla”, tha Daçiq.

Po ashtu, Daçiq nuk la pa përmendur edhe formimin e gjykatës speciale për të cilën tha se po formohet për krimet kundër serbëve dhe do të shohim se si do të trajtohen ato raste.

Ministri serb nuk la pa përmendur as zgjedhjet serbe që do të mbahen më 24 prill. Për to tha se do të mbahen edhe në Kosovë.

”Do të ketë zgjedhje ashtu si jemi marrë vesh në Bruksel, në të njëjtën mënyrë si edhe herën e kaluar, përmes ndihmës së OSBE-së”, theksoi ai.

Kur gazetarët i kujtuan ministrit serb se Edita Tahiri ka mohuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Daçiq i habitur tha “ejani dhe shiheni vet”.

Një javë më parë, qytetarët e komunitetit serb i ka vizituar edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq. Shefi i Qeverisë serbe është takuar me qytetarët e komunitetit serb në komunat veriore të Kosovës.

http://kallxo.com/daciq-per-vota-ne-gracanice/

Pas paralajmërimeve të zyrtarëve serbë se zgjedhjet serbe do të mbahen edhe në Kosovë, para pak muajve ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se kjo çështje nuk vjen në konsiderim dhe këto deklarata i kishte quajtur propagandë për konsum të brendshëm.