D4D Kërkon Zgjedhje Pa Incidente

Instituti Demokraci për Zhvillim u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e nesërme lokale që të kontribuojnë për zgjedhje të drejta, demokratike dhe pa incidente.

Njëkohësisht D4D ka bërë thirrje për respektimin e kodit të mirësjelljes, respektimin e heshtjes zgjedhore, si dhe përmbajtjen nga përdorimi i gjuhës që nxit konflikte.

“Duke e ditur rolin e komisionerëve të subjekteve politike gjatë procesit zgjedhor, D4D gjithashtu fton të gjithë komisionerët për profesionalizëm dhe paanshmëri duke kontribuar në integritetin e zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e D4D-së.

Instituti tregon se ka zhvilluar aktivitete edhe për edukim të votuesve.

Në frymën e një procesi zgjedhor që ka për qëllim edukimin e votuesve, e veçanërisht votuesve të rinj, D4D gjatë kësaj kohe ka realizuar fushatën ‘Zgjedh për me Zgjidhë’ Kjo fushatë edukuese ka përfshirë rreth 1200 të rinj dhe të reja, të cilët në mënyrë aktive kanë qenë pjesë e punëtorive, seancave të simulimit të zgjedhjeve, takimeve avokuese me kandidatët për kryetarë komunash dhe marrjes së informacioneve për mënyrën e votimit”,vijon komunikata.

Instituti D4D po ashtu ftoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dielën të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.

Në zgjedhjet e nesërme janë certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetar komune apo për kuvende komunale, në komunat e Kosovës.

Në ditën e zgjedhjeve, në 2 mijë e 505 vendvotime në të gjithë Republikën e Kosovës do të angazhohen rreth 18 mijë anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve, si dhe rreth 2 mijë anëtarë rezervë.

Gjithashtu, janë trajnuar 17 mijë e 635 komisionarë. Ndërsa, janë akredituar mbi 33 mijë vëzhgues/21Media