‘Çohu’: PTK-ja Probleme me të Hyrat dhe Paditë

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet “Çohu” në një raport për Postën dhe Telekomin e Kosovës të titulluar “PTK-Nga Agimi Deri në Muzg”, gjeti se kjo ndërmarrje publike vuan nga performanca e dobët dhe politizimi.

“Çohu” me anë të disa grafikave bëri të ditur se pavarësisht rënies së fitimeve të PTK-së, shpenzimet për benificione të stafit të saj drejtues po rriten.

“Pavarësisht që fitimet e PTK-së kanë shkuar në rënie, paga mesatare e një punonjësi është 1,200 euro, përderisa benificionet e stafit menaxhues vetëm shkojnë në rritje. PTK-ja përveç gjendjes së vështrië financiare, është duke u përballur  edhe me dy padi të cilat rrezikojnë t’i shkaktojnë humbje shtesë deri në 70 milionë euro,” thuhej në raport.

Lorik Bajrami, përpilues i raportit nga organizata “Çohu”, tha se edhe pse vitin e kaluar ishte planifikuar stabilizimi i trendit të të hyrave në PTK, kjo gjë sipas tij nuk ka ndodhur.

“Te Strategjia e PTK-së 2015-2019 paraqitet se gjatë vitit 2015 PTK-ja do ta stabilizojë nivelin e të hyrave e kjo gjë nuk ka ndodhur, e të dhënat e fundit nga Autoriteti Rregullativ tregojnë se PTK-ja nuk ka arritur ta stabilizojë trendin e të hyrave,” tha Bajrami.

Pavarësisht trendëve negativë të paraqitur nga “Çohu”, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit “Riinvest” PTK-në e konsideroi aset të rëndësishëm të Kosovës.

“Nuk po lidhem shumë me këto që i kanë ndodhur PTK-së, por prapëseprapë është aset i Kosovës, është ndërmarrje publike me çdo potencial që mundëson me qenë profitabile,” tha Abdixhiku.

Lorik Bajrami në bazë të raportit konstatoi se PTK-ja dështoi në aspektin e qeverisjes korporative, pasi mekanizmat mbikëqyrës të saj sipas tij kishin qasje partiake që reflektoi në llogaridhënie.

Bajrami përmendi rastin e vetëm të kërkimit të llogarisë në PTK, shkarkimin e ish-drejtorit Ejup Qerimi, pas rënie drastike të të hyrave në këtë ndërmarrje.

Minstri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci theksoi që në fillim të mandatit të tij është duke u përballur me paditë e dështimit të privatizimit të PTK-së.

“Pavarësisht çka ka ndodhur me PTK-në gjatë periudhave të mëhershme, ne duhet të nxjerrim mësime nga këto procese pavarësisht se kush është fajtori. Prej janarit 2015 prej kur e kam marrë qeverisjen jemi përballur direkt me dështimin e privatizimit, menjëherë kemi filluar me fazën e përgatitjes së lëndës për përfaqësimin ligjor. Ju informoj se me 19 gusht e kemi një seancë gjykimi me kompanitë paditëse, e kërkesat e tyre shkojnë prej 150 deri në 600 milionë euro,” tha Stavileci.

Ai tregoi se ministria nuk e menaxhon punën ditore të ndërmarrjeve publike.

“Një gjë duhet ta sqarojmë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk i menaxhon ndërrmarrjet publike, por vetëm e ka një njësi për monitorimin e tyre, ne nuk mirremi në baza të përditshme me punën e tyre,” shpjegoi Stavileci.

“Çohu” në raportin e tij konstatoi se rënien totale të të hyrave të PTK-së e kanë shpëtuar  natyra konservatore dhe mungesa e fleksibilitetit të konsumatorëve të saj për të kaluar te operatorët  tjerë të telefonisë mobile.