Çoçaj Dha Mbrojtjen për Javën e Remzi Ademajt

Çoçaj që akuzohet se keqpërdori këtë manifestim nga viti 2008 deri në vitin 2012, tha se deri në tetor të vitit 2008 kishte punuar si gazetar, ndërsa nga tetori i këtij viti si koordinator i Drejtorisë Komunale të Arsimit.

Ai tregoi se nga 11 qershori i vitit 2011 është në pozitën e Drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren.

Çoçaj, tha se të gjitha mjetet financiare për Javën e Remzi Ademajt janë prezantuar pranë Këshillit Organizativ të manifestimit.

Ai deklaroi se libra për manifestim janë blerë në panairin e librit, mirëpo në mungesë të faturave të rregullta, kishin marrë fatura në firmën “Bogdani” në të cilën është bashkëpronar.

Ai, më tutje u pyet edhe për faktin se pse nuk kishte hapur një xhirollogari të veçantë bankare, por mjetet e manifestimit i kishte bartur në xhirollogarinë private.

“Nuk na është sugjeru nga Drejtoria e Financave dhe kurrë s’ na është thënë se është e ndaluar dhe se nuk mund të bartet transaksioni, po të na ishte thënë një gjë e tillë ne do ta kishim ndryshuar qasjen,” tha Çoçaj.

Drejtori i Arsimit shpjegoi se nuk kishte kërkuar sqarime me shkrim për çështjen e xhirollogarisë nga Drejtoria e Financave.

Çoçaj, u pyet edhe pse janë transferuar të hollat nga Bekim Thaçi në xhirollogarinë e tij private gjatë kohës kur ai nuk kishte asnjë funksion në këshillin organizativ.

“Nuk më kujtohet saktë viti a ka qenë 2010 apo 2011, kur ka qenë Bekim Thaçi kryetar, për shkak të një angazhimi familjar që ka pasë. Me qëllim të vazhdimit të punës është bërë bartja në xhirollogarinë time në vlerë prej 9 mijë eurove, të cilat janë shfrytëzu për manifestimin Java Remzi Ademaj,” tha Çoçaj.

Ndërsa i akuzuari Bekim Thaçi në mbrojtjen e tij deklaroi se në vitin 2010 i kishte dorëzuar të hollat Nexhat Çoçajt pasi që ai ishte drejtor i arsimit dhe jetonte në qytet, ndërsa vetë Thaçi tha se jetonte në fshat dhe duhej të bëheshin pagesa.

Ndryshe nga Çoçaj që përmendi shifrën prej 9 mijë eurove, Bekim Thaçi tha se kanë qenë 12 mijë euro, prej të cilave 9 mijë euro i janë transferuar Çoçajt në llogari dhe 3 mijë të tjera janë përdorur si para të gatshme për blerjen e 1 mijë e 500 bluzave, medaljeve, kupave dhe shpërblimeve tjera për këtë manifestim.

Thaçi tha se në kohën kur kishte qenë kryetar i këshillit organizativ, i kishte bartur paratë për manifestimin te Çoçaj, edhe pse drejtori i Arsimit nuk ishte atëherë pjesë e këtij këshilli.

“Ka pasë një përvojë të madhe në këtë drejtim, sepse prej vitit 2001 mbahet ky manifestim dhe gjithmonë e ka udhëheq (Çoçaj),” tha Thaçi.

Mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Bedri Çeku.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 qershor.