Pamje nga seanca e sotme, e cila u shoqërua edhe me tensione - Foto: KALLXO.com

Çka Ndodhi në Seancën e Sotme për UÇK-në?

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga PDK, e cila filloi me një orë vonesë, për të diskutuar për vlerat e UÇK-së, mori kah tjetër që në nisje.

Akuza e kundërakuza në baza personale, replika e kundërreplika, fyerje e gjuhë denigruese mes deputetëve, madje edhe kacafytje, e karakterizuan seancën e cila zgjati më shumë se 11 orë.

Megjithëse u kërkua disa herë nga shefat e grupeve parlamentare mos të devijohet ajo për të cilën janë mbledhur, deputetët vazhduan me cilësime si patriot e tradhtar.

Madje deputeti Zafir Berisha kërkoi nga kuvendi që Hashim Thaçi të shpallet tradhtar.

“Përgjegjësinë për këtë devalvim e kanë shumë njerëz, por një është kryesori e ai është Hashim Thaçi. Propozoj që pika e parë e rezolutës të jetë: Thaçi të shpallet tradhtar”, tha ai.

Por këtu ndërhyri kryeparlamentari Kadri Veseli, duke i kërkuar atij të mos e shfrytëzojë foltoren e Kuvendit për “sulme të brendshme”.

Por përplasje pati edhe mes deputetëve Shaip Muja e Fisnik Ismajli.

“Prej teje duhet me u tutë se ma merr veshkën”, i tha deputeti Ismajli – Mujës, e ky i fundit i tha se po dihet ku e ke marrë këtë konstatim, duke aluduar në raportin e Dick Martyt.

Pas kësaj u kërkua pauzë për qetësim gjakrash.

PDK vendimin e djeshëm për grupin “Drenica 2” e cilësoi si të padrejtë e LDK kërkoi të mos ndërhyhet në drejtësi.

http://kallxo.com/pajaziti-gjykatat-te-na-bindin-per-denimet/

http://kallxo.com/ldk-kerkon-te-respektohen-vendimet-e-gjykatave/

Deputetët u morën edhe me votimin e Gjykatës Speciale vitin e kaluar. Disa tregonin me krenari votën e tyre pro e të tjerë me krenari votën e tyre kundër.

Vendimin e djeshëm në rastin “Drenica 2” e kritikoi edhe i pari i institucionit ligjvënës, Kadri Veseli. Madje ai arsyetoi edhe votën e tij pro Speciales, duke thënë se mosvotimi do ta kishte dëmtuar shtetin e do t’u linte sherr fëmijëve të tij.

http://kallxo.com/veseli-drejtesia-dhe-e-verteta-nuk-mund-te-ndahen/

Por, ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë e të vonuar e konsideroi këtë seancë deputeti Fatmir Limaj, i cili ka kaluar e po kalon në disa procese gjyqësore. Limaj akuzoi ata që i dhanë votën Speciales.

http://kallxo.com/limaj-kjo-seance-eshte-nderhyrje-ne-drejtesi/

E hipokrizi e quajti deputeti Rexhep Selimi, duke shtuar se ata deputetë që kanë votuar në favor të krijimit të Gjykatës Speciale nuk kanë të drejtë të flasin në debatin në Kuvend rreth dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

http://kallxo.com/rexhep-selimi-seanca-per-uck-ne-hipokrizi/

Por, largpamës u tregua deputeti Albin Kurti, duke thënë se dënimet e ish-pjestarëve të UÇK-së nuk po bëhen për të kaluarën, por për të ardhmen. E kjo sipas tij po vjen për shkak të mohimit të UÇK-së duke nisur nga Kushtetuta.

http://kallxo.com/kurti-ka-ndodhur-mohimi-uck-se/

Por, deputetja Ganimete Musliu pati një pyetje për Kurtin, në të cilën nuk mori përgjigje.

“Pse nuk ke pranu me luftu kur të është ofruar Kallashnikovi në Qirez, e ke thënë do të kthehem një ditë tjetër. Çfarë ke bërë më 17 janar 2004 në shtëpinë e vëllezërve Dollçiq?”, pyeti ajo deputetin e Vetëvendosjes.

Megjithëse u kërkua disa herë nga Veseli që të shkohet drejt në votim e të ndalen fjalimet e mbetura, deputetët e partisë së tij, të cilët kishin mbetur të fundit në diskutim, nuk pranuan, duke kërkuar nga ai të flasin si kolegët e tyre.

Derisa debati vazhdonte, përfaqësuesit e grupeve parlamentarë të PDK-së, LDK-së, VV-së, AAK-së e NISMA-s lëshuan sallën për t’i harmonizuar qëndrimet e tyre në një rezolutë.

E pasi u kthyen, rezultoi që Vetëvendosje ishte e vetmja që nuk u pajtua me partitë e tjera dhe propozoi rezolutë në vete.

Deputeti Elmi Reçica lexoi rezolutën e propozuar nga PDK, LDK, AAK e NISMA, ku pika e fundit thotë se “Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda 6 muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe luftës së saj për çlirim”.

Më pas në foltore doli kolegu i tij, Glauk Konjufca. Ai para se të lexonte rezolutën e Vetëvendosjes, pati një fjalim, ku ndër tjera përmendi letrën e dërguar nga burgu nga Sami Lushtaku. Këtu situata u nxeh. Nuredin Lushtaku i shkoi te foltorja Konjufcës, por u pengua nga deputetët e tjerë që situata mos të eskalonte.

Porosi për të gjithë pati kryeparlamentari Veseli, duke u thënë se po e thirrin taksiratin.

http://kallxo.com/veseli-deputeteve-po-e-thirrni-taksiratin/

Në fund, në mungesë të kuorumit, ngase prezent në sallë ishin vetëm 55 deputetë, votimi i dy rezolutave u shty për nesër në orën 10:00

Sot BE kërkoi nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga ligjvënësit që mos t’i kontestojnë vendimet e gjykatave e t’i respektojnë pushtetet e ndara.

http://kallxo.com/kerkon-nga-deputetet-te-mos-kontestojne-vendimet-e-gjykatave/

Njësoj kishte ndodhur edhe tri vite më parë. Ndonëse kundër diskutimit të procesit gjyqësor në rastin “Kiçina” ishin shprehur Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në vend, Kuvendi gjithsesi kishte mbajtur debatin.

Rasti “Kiçina” Megjithatë Debatohet Nga Deputetët