Çka e Shtyri Isa Mustafën ta Mbyllë Llogarinë në Facebook (FOTO)

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka vendosur ta mbyllë llogarinë në Facebook për shkak të rritjes së numrit të sulmeve ndaj llogarisë së kryeministrit Isa Mustafa në Facebook. Kjo llogari do të deaktivizohet deri në rritjen e masave të sigurisë, thonë nga zyra e kryeministrit Mustafa.

Vendimi erdhi pas disa postimeve të bëra nga llogaria e tij gjatë fundjavës të cilat shkaktuan shumë reagime në opinion.

Në njërin nga to, kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt i përmendej liqeni i Radoniqit, pas një deklarate të këtij të fundit se nëse policia arreston deputetët e opozitës, qytetarët do ta arrestojnë kryeministrin Isa Mustafa.

Besnik Berisha këshilltar ligjor i kryeministrit Isa Mustafa ka thënë për KALLXO.com, se Zyra e Kryeministrit nuk ka hapur rast të ri në Polici për llogarinë e kryeministrit në Facebook por është në vazhdën e kontakteve që kanë ata me Policinë e Kosovës.

Foto e siguruar nga Kallxo.com

“Mund të konfirmoj se unë aktuaklisht jam në kontakt më Polciinë e Kosovës në nivelin më të lartë për të trajtuar këtë dhe çështje të tjera në raport me kryeministrin Mustafa”, tha Berisha.

Sipas tij, tani për tani për tani kjo mbyllje e llogarisë në Facebook është parë si rrugë alternative që kjo llogari të deaktivizohet deri në përmirësimin e masave të sigurisë.

“Rastet lidhur me llogarinë në Facebook datojnë qe disa muaj e që janë denoncu qoftë si kërcënime qoftë si raste tjera. Për këto unë kam kontakte me Departamentin për Krime të Rënda (të Policisë) e tash për tash sa i përket rastit të fundit nuk ka rast të ri të hapur sepse është në vazhdën e hetimeve që shkojnë përtej sulmit në llogarinë personale të kryeministrit”, tha Besnik Berisha.

Ndërsa Policia e Kosovës ka thënë për KALLLXO.com se “Policia e Kosovës çdo rast të raportuar e trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme dhe sipas procedurave të parapara ligjore”.

Tash e tutje, kryeministri nuk do të jetë aktiv as në Twitter sepse llogarinë e Facebook-ut e ka pasur të lidhur me Twitter.

Në disa foto që ka siguruar KALLXO.com shihet ndërhyrja në llogarinë personale të kryeministrit Isa Mustafa.

Në anën tjetër Valon Canhasi, redaktor i rrjeteve sociale në KALLXO.com i pyetur rreth rastit në fjalë tha se kjo tregon sa e rëndësishme është siguria në përdorimin e llogarive në rrjete sociale.

Canhasi thotë se duke pasur parasysh rritjen enorme të përdoruesve të rrjeteve sociale në internet në Kosovë, duhet të ketë rregullore edhe nga institucionet se si të përdoren ato.

Zyra e Kryeministrit, por edhe Qeveria në përgjithësi nuk e ka të rregulluar menaxhimin e llogarive zyrtare në rrjete sociale. Duhet të theksohet se kjo llogari nuk është profili personal, por është faqe e cila mund të menaxhohet nga disa persona të autorizuar me qasje”, thotë Canhasi.

Ai kujton një rast të muajve më parë kur kryeministri Mustafa kërkoi nga këshilltarja e tij Vlora Dumoshi të postojë një status në llogarinë e tij në Facebook.

Por në vend të komunikimit intern, Mustafa këtë e kishte bërë publikisht nga llogaria e tij në Facebook.

‘Për këtë arsye rekomandohet që të përpilohet një udhëzues për shfrytëzimin e llogarive zyrtare në rrjete sociale, e tillë çfarë ekziston në shumë institucione e organizata tjera”, thotë Canhasi.

Rrjetet sociale janë mediumet më masive të komunikimit në botë prandaj vlerësohen si komunikimi më i rëndësishëm aktualisht. Në Kosovë vlerësohet se ka mbi 500 mijë përdorues të rrjeteve sociale.