Çka Duhet të Dimë për Virusin Zika?

Ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar vendeve evropiane që të përgatiten përballë rrezikut që paraqet virusi Zika, i cili përhapet përmes pickimit të mushkonjave.

Se cilat janë gjasat e përhapjes në vendin tonë dhe çfarë masash duhet ndërmarrë për të parandaluar infektimin nga ky virus i rrezikshëm, KALLXO.com ka biseduar me gjinekologun Memli Morina.

Për virusin Zika duhet të ketë informim të drejtë dhe të mos bëhet panik, thotë në fillim të bisedës mjeku dhe shton se nuk mund të ndërtohet një “mur” për mbrojtje nga infeksionet.

Memli Morina mendon se në të ardhmen pritet të ketë më shumë të infektuar me virusin Zika, meqë ai përhapet shpejt për shkak se mushkonjat të cilat e bartin atë kanë një shtrirje të gjerë gjeografike dhe për shkak se nuk ka një vaksinë kundër tij. Megjithatë, Zikën e cilëson një prej shumë virusëve që mund ta rrezikojnë shëndetin tonë.
“Janë konstatuar disa persona të infektuar të cilët kanë mbërritur në Evropë, por sëmundja nuk është transmetuar, sepse mushkonjat akoma nuk janë aktive. Me fillimin e muajve të verës, kur do të ketë rritje të temperaturave, rreziku i përhapjes së virusit mund të rritet” thotë ai.

Sipas tij pasi që nuk ka vaksinë atëherë duhet që infeksioni të parandalohet duke eliminuar mushkonjat përmes spërkatjes me insekticide dhe duke informuar njerëzit (sidomos shtatzënat) që të mbrohen nga pickimi i mushkonjave.

Memli Morina, gjinekolog.
Memli Morina, gjinekolog.

“Mushkonjat infektohen kur pickojnë një person, i cili tashmë është i infektuar me këtë virus. Mushkonjat e infektuara përmes pickimit e bartin virusin tek njerëzit e tjerë” thotë ai.

Ky virus mund të bartet gjatë shtatzënisë nga nëna tek fryti, por deri më tash nuk ka të dhëna se mund të bartet tek i porsalinduri përmes ushqimit me qumësht gjiri, thekson  mjeku Morina.

“Është raportuar tashmë se virusi mund të bartet edhe me marrëdhënie seksuale dhe përmes transfuzionit të gjakut të infektuar” tha ai.

Më tutje, doktor Morina thotë se nëse një shtatzënë infektohet me virusin Zika, ekziston mundësia që virusi ta infektojë edhe fetusin dhe se ka raste kur fëmija lind me mikrocefali.

“Mikrocefalia është një gjendje kur fëmijët lindin me kokë më të vogël krahasuar me pjesët e tjera të trupit dhe kanë probleme serioze në zhvillim. Në raste të rralla mund të shkaktohet edhe vdekja” tregon ai.

Pastaj, doktor Morina shpjegon se fëmijët me mikrocefali kanë probleme me të folurit, probleme të të zhvilluarit, probleme me të dëgjuarit dhe të pamurit, probleme me ecjen e me baraspeshën.

Ajo që rekomandon Memli Morina është që shtatzënat, në cilëndo periudhë të shtatzënisë, të shmangin udhëtimin në vendet kur ka transmision të virusit Zika.

Po ashtu, në bisedën për KALLXO.com, doktor Morina shpjegon se virusi Zika qëndron në gjakun e personit të infektuar vetëm për disa ditë deri në një javë dhe se ky virus nuk shkakton probleme nëse shtatzënia ndodhë pasi që virusi është larguar nga organizmi.

Sa i përket shërimit gjinekologu nuk jep shumë shpresa. “Nuk ekziston një mjekim specifik për virusin Zika. Por, personat e sëmurë këshillohen që të pushojnë dhe që të pijnë shumë lëngje, kurse për dhimbje të marrin acetaminophen, por jo Aspirinë ose ndonjë antiinflamator tjetër josteroid” thotë ai.
Sipas tij, rekomandimet e OBSH-së vlejnë për Kosovën sikurse për secilin vend tjetër evropian.
KALLXO.com ditë më parë raportoi se edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin për këtë virus duke kërkuar nga vendet evropiane që të koordinohen për ta parandaluar përhapjen e tij.

http://kallxo.com/obsh-paralajmeron-evropen-per-rrezikun-nga-virusi-zika/