Foto-ilustrim

Cilësia e Ujit që e Konsumojnë Qytetarët e Kosovës

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, prej së cilës furnizohen me ujë të pijes afër gjysmë milioni banorë të Kosovës, garanton qytetarët se uji që distribuojnë, është cilësor dhe i pijshëm.

Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arbërie Zogjani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se uji është i pijshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare. “Sa i përket cilësisë së ujit që ne distribuojmë, me përgjegjësi të plotë ju garantojmë si Ujësjellës Rajonal, për cilësinë e mirë të ujit të pijes. Ne kemi dy laboratorë ku vazhdimisht bëhen analizat e ujit të pijes, laboratorin kimik dhe bakteriologjik, kemi pika të ndryshme të qytetit dhe gjithë zonës që çdo ditë merren mostrat për t’u bërë analizat dhe çdo herë dalin me rezultat pozitiv”, thekson Zogjani. Kohë më parë, mediet në Kosovë patën raportuar për cilësi të dyshimtë të ujit të pijes edhe atyre të ambalazhuar. Këto raportime kishin ngritur shqetësime edhe te qytetarët e Kosovës. Disa qytetarë të anketuar thonë se nuk janë shumë të sigurt për cilësinë e ujit që atyre iu vjen nga kompania prej nga ata furnizohen. Disa prej tyre, tashmë nuk e përdorin për pije, por vetëm për gjëra të tjera dhe thonë se preferojnë që ujin e pijes ta blejnë. Kreshnik Sinani, një qytetar nga Prishtina, ka thënë se zakonisht e blejnë ujin e pijes. “Ne zakonisht e blejmë ujin e pijes, pasi që cilësisë së ujit që vjen nga ujësjellësi, nuk i besojmë shumë, por edhe uji i ambalazhuar që e blejmë nuk besoj që është shumë cilësor, por që ndoshta është më i pastër sesa ai publik”, ka thënë Sinani. Ndërsa, Shqipja, një qytetare nga Prishtina thotë se e blejnë ujin, por që nuk dyshojnë edhe në cilësinë ujit që vjen nga ujësjellësi. “Në familjen tonë ujin e blejmë, po dëgjojmë se nuk duhet të pihet uji që vjen nga ujësjellësi, por të blihet, mirëpo mendoj që uji nga ujësjellësi është cilësor. Ne deri viteve të fundit e kemi pirë atë ujë, tash kemi filluar ta blejmë, ndoshta po mendojmë që është më i mirë”, thotë ajo. Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, një monitorim që kishte bërë për ujin e pijes në Kosovë, në muajin e kaluar, kishte konfirmuar se të dhënat laboratorike për parametrat kimik rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije. “Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i siguron qytetarët e Kosovës se ky institut ka kontroll të përhershëm të cilësisë së ujit për pije, si nga sistemet qendrore të furnizimit, ashtu dhe për ujin e ambalazhuar dhe nuk ka vend për shqetësim”, thuhet në një njoftim për qytetarë që kishte bërë ky institut. Ky institut ka bërë të ditur se do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi, me përgjegjësi të lartë profesionale. Megjithatë, ata kanë kërkuar nga organet relevante që të avancojnë dhe zgjerojnë me prioritet spektrin e analizave laboratorike të ujit, ajrit dhe ushqimit në vend. Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lidhur me ujërat në Kosovë, kohë më parë, thuhet se rreth 70 për qind e popullatës furnizohet me ujë nëpërmjet sistemeve publike, kurse rreth 29 për qind furnizohen nga sistemet vetanake. Ndërkaq, 0.7 për qind e qytetarëve nuk kanë në dispozicion shërbime të ujësjellësit.

NDËRLIDHUR

 

 

ETIKETA

13 Gusht 2017 - 14:20

RTV 21 13/08/2017 - 14:20
NDËRVEPRIMI0