Komuna e Prishtines

Çiftet nga Prishtina do të Mbjellin ‘Drurin e Martesës’

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, gjatë propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, u propozua që çiftet e reja që kurorëzohen të mbjellin një pemë në hapësirat e parapara për gjelbërim.

“Ceremonia e mbjelljes së drurit të martesës, ky do të jetë produkt i ri. Përveç simbolikës po tentojmë që pjesët që nuk janë të gjelbëruara, të ndihmojmë në mbrojtjen e ambientit të qytetit tonë ”,tha drejtori i Administratës, Muhedin Nushi.

Nushi propozoi edhe që pagesa për kurorëzime jashtë komunës të zbritet nga 100 në 50 euro.

“Për ceremoninë e kurorëzimit jashtë objektit të komunës që nënkupton restorantet dhe hotelet nga 100 euro preferohet të shkohet me tarifën e re prej 50 eurove, me të cilën do t’u japin hapësirë edhe qytetarëve tjerë me mundësi më të vogla ekonomike që të kurorëzojnë një fillim të jetesës në këtë formë”, tha Nushi.

Nushi më tutje tregoi se ka dy lloje të drunjve që do të mbillen nga çiftet e reja. Sipas tij, do të fillohet me drurin i cili quhet Acer, ndërsa pagesa për mbjelljen e këtij druri do të bëhet në komunë.

Emrat e çifteve do të jenë të gdhendura në “drunjtë e martesës” së tyre, në mënyrë që kurdo që të kthehen në vendin e mbjelljes, do të mund të gjejnë edhe emrat.

Por, pavarësisht pëlqimit dhe votimit të këtij projekti nga asamblistët, Sadri Ramabaja nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje” tha se Nushi idenë për “drunjtë e martesës e ka huazuar nga Skënderbeu.

“Ideja origjinale ka qenë e Skënderbeut. Ai ka kërkuar që të mbjellen ullinj edhe blinj”, tha Ramabaja.

Ky projekt do të implementohet nga Hortikultura dhe do të fillojë gjatë muajit maj të këtij viti.

Lokacioni i parë që do të shfrytëzohet për “drunjtë e martesës” është në anën e majtë të rrugës së Veternikut, por më pas do të vazhdohet edhe me toka tjera të cilat nuk janë të gjelbëruara.