Çfarë Mësuan Partitë nga Zgjedhjet Lokale

Në Emisionin “Jeta në Kosovë” ku u diskutua për zgjedhjet lokale të këtij viti u fol për anët pozitive dhe anët negative, apo mësimet që i kanë nxjerrë partitë nga këto zgjedhje.

Abelard Tahiri ka thënë se njëra nga anët pozitive të këtyre zgjedhjeve lokale të PDK-së kanë qenë kandidimi i më shumë grave si për kryetare për komuna edhe në listat për asamble komunale.

“Pozitive, numri mbi 60 për qind fytyra të reja që kanë kandiduar për asamble, 3 kandidate femra për kryetare, 40 për qind femra për asamble, fushata e mirë dhe programet, raundi i parë ka qenë i mirë për PDK-në”, ka potencuar Tahiri.

Kurse, sipas tij, anët negative të këtyre zgjedhjeve kanë qenë fenomeni i trenit bullgar, votat me kusht dhe kandidimi i Florim Shkretës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit.

“Negative, treni bullgar mjaft fenomen fatkeq, e dyta mendoj që votat me kusht duhet të rishikohet, duhet të bëhet një studim për votat e pavlefshme, do të duhej të angazhohet ndonjë institut që të hetohet ky proces, e treta është kandidimi i Florim Shkretës, shpresoj që po hyjmë në reformë zgjedhore, me reformë zgjedhore synojmë mosdeformimin e votës”, ka shpjeguar Tahiri.

Kurse anëtari i AAK-së, Lulzim Leci ka thënë se zgjedhjet e 22 tetorit dhe 19 nëntorit kanë qenë zgjedhje të mira dhe të rregullta.

“Zgjedhjet kanë qenë zgjedhje të mira dhe të rregullta. Kandidaturat kanë qenë kompetentet, programet kanë qenë të mira. Votat e diasporës janë arsye që partitë politike me bo reformë zgjedhore”, është shprehur Leci.

Sipas Lecit, mësimet që ka nxjerrë AAK nga këto zgjedhje është që të ketë kandidatura më të qëlluara.

Anëtari i LDK-së, Florian Dushi ka potencuar si anë negative bërjen e fushatës dhe shantazhimin dhe kërcënimin e organeve kur janë dhënë vendime për rinumërim.

“Negative, do të duhej të mësojmë që si KQZ dhe LDK të punojë me të nominuarit e tyre, do të duhej të shohim në aspektin e bërjes së fushatës, çështje negative është edhe kërcënimi, shantazhimi i organeve pas vendimeve për rinumërim”, ka thënë Dushi.

Si anë pozitive Florian Dushi ka thënë se është parë kontributi i shoqërisë civile në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Komisionerët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile kanë dhënë kontribut në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, ka potencuar Florian Dushi nga LDK.

Anëtari i VV-së, Besnik Bislimi si pozitive në këto zgjedhje tha se VV-ja e ka parë hapësirën që i është dhënë kandidatëve të rinj.

“Pozitive, procesi i votimit është forcu shumë, kandidatët e rinj po marrin më shumë hapësirë”, theksoi Bislimi.

Derisa si mësim nga VV-ja është nxjerrë mosbindja e më shumë grave për të kandiduar.

“Nuk ka votë më të shantazhuar, manipuluar se ajo e diasporës, nuk ka qenë mirë që si VV nuk kemi arritur për të bindur më shumë femra me kandidu edhe nuk ka qenë mirë që kemi kandiduar kandidatë në momentin e fundit”, është shprehur anëtari i VV-së, Besnik Bislimi.

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim (DNV) ka listuar anët negative të zgjedhjeve lokale duke filluar nga vendimi i Gjykatës Supreme për kthimin e kandidatëve të decertifikuar e te kutitë e shumta që kanë shkuar në rinumërim.

“Negative, vendimi i Gjykatës Supreme për kthimin e kandidatëve të decertifikuar, Gjykata Supreme i ka tejkaluar kompetencat e saj duke interpretuar kushtetutën, numri i madh i kutive që kanë shkuar në rinumërim në të gjitha komunat dhe lista e votuesve që është burim i problemeve”, ka përfundur Krasniqi.

Kurse Burim Ejupi nga INDEP anë pozitive të këtyre zgjedhjeve e ka konsideruar vetëdijesimin e komisionerëve për të qenë më vigjilentë.

“Pozitive, burgu ka kry punë, e tash janë vetëdijesuar, komisionarët janë bërë shumë ma vigjilentë e mos me qenë partizanë të partive politike. Pozitive kanë qenë edhe debatet, kanë qenë shumë specifike. Fushata ka qenë shumë më e mirë, jo me shumë debate të mëdha. Risi kanë qenë edhe kandidatët e rinj”, është shprehur Ejupi.

E si anë negative ai ka vlerësuar se janë parë votat e pavlefshme, problemet me komisionerë te votat për asamblistë edhe presioni publik ditën e balotazhit për komisionarët”, theksoi Ejupi.