Çeta e Dhjetë të Akuzuarve

Ish-komandanti i UÇK’së Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij janë ende duke pritur të dëgjojnë për orarin e gjykimit të tyre, më shumë se një muaj pasi janë akuzuar. Procesi është komplikuar tej mase pas vdekjes së dëshmitarit kryesor, ‘Dëshmitarit X’.

Aktakuza ndaj dhjetëshes së njohur ishte konfirmuar më datën 26 gusht të këtij viti. Ajo ngarkon Fatmir Limajn dhe nëntë të tjerët me krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, të dënueshme me ish-kodin penal të Jugosllavisë, ish-ligjin penal të Kosovës si dhe konventat e Gjenevës dhe protokollet e saj.

Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht prokurori i EULEX’it, Maurizio Salustro, nga viti 2010 kishte filluar hetimet kundër tash të akuzuarve Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Naser Krasniqi, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Bekim Shurdhaj, Shaban Shala dhe Refki Mazrreku.

Po kush janë të akuzuarit dhe për çfarë saktësisht ngarkohen ata?

Arben Krasniqi – I ekstraduar nga Zvicra

I lindur më 5 tetor 1978 në fshatin Terpezë e ulët e Malishevës, Krasniqi ka qenë pjesëtar i UÇK’së, në pozitën e rojës së burgut. Thuhet se ka jetuar një kohë në Zvicër ku edhe ishte  arrestuar për t’u ekstraduar në Kosovë. E pas ekstradimit, gjykatësi i procedurës paraprake ia caktoi masën e arrestit shtëpiak, ku edhe sot gjendet. Krasniqi akuzohet se në bashkëkryerje ka bërë krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës. Sipas aktakuzës krimet janë kryer në Kleçkë, komuna e Lipjanit, nga janari i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999. Në seancën e konfirmimit vet Krasniqi dhe avokati i tij deklaruan pafajësinë lidhur me akuzat. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Naser Krasniqi – ‘Bashkim Fino’ menaxhoi qendrën e paraburgimit

I lindur më 11 tetor 1973 në Rahovec, me banim në fshatin Banjë, ka qenë pjesëtar i UÇK’së gjatë luftës i njohur me nofkën “Bashkim Fino”, ka kryer punë menaxhuese në qendrën e paraburgimit në Kleçkë. Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka qenë udhëheqës në Qendrën e Paraburgimit në Kleçkë, ku edhe akuzohet për 6 akuza, në bashkëkryerje, për Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Sipas aktakuzës këto krime janë kryer në mes të janarit 1999 deri në mesin e qershorit 1999. Naser Krasniqi gjendet në paraburgim nga 16 marsi i këtij viti, e deri në kohën e arrestimit ka punuar si Inspektor i Postës dhe Telekomit të Kosovës, ndërsa me profesion është Jurist. Në seancën e konfirmimit vet Naser Krasniqi dhe avokati i tij deklaruan pafajësinë për të gjitha akuzat. Ndërsa Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Nexhmi Krasniqi – ‘Skifteri’ i Policisë Ushtarake

I lindur më 16 tetor 1962 në fshatin Terpezë të Drenasit, jeton në Prizren, ka qenë pjesëtar i UÇK’së, gjatë luftës ka përdorur nofkën “Skifteri 500”, komandant i nëntë njësive të Policisë Ushtarake. I njëjti akuzohet në shtatë pika të aktakuzës dhe atë në një pikë për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës dhe gjashtë pika për Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Në aktakuzë thuhet se krimet janë kryer në periudhat në mes të janarit 1999 dhe mesit të qershorit 1999. Nexhmi Krasniqi, gjendet në paraburgim nga data 16 mars e këtij viti. Deri në kohën e arrestimit ka punuar si oficer i Policisë, me profesion Jurist. Në seancën e konfirmimit të akuzës, vet Nexhmi Krasniqi u deklarua i pafajshëm për çka e mbështeti edhe avokati i tij. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Behlul Limaj – Komandant në luftë, pronar pas saj

I lindur më 3 dhjetor 1965 në fshatin Banjë të Malishevës ku edhe jeton, ka qenë pjesëtar i UÇK’së dhe ka pasur rolin e komandantit. I njëjti akuzohet, në dy pika të aktakuzës, se në bashkëveprim ka kryer Krime të Luftës kundër popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës si dhe Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Në aktakuzë si data të krimeve thuhet se janë periudha nga janari i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999. Behlul Limaj është arrestuar me datën 16 mars të këtij viti dhe që nga kjo datë gjendet në paraburgim, deri atëherë kishte punuar si pronar i një lokali. Në seancën e konfirmimit të aktakuzës, Behlul Limaj u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës që e ngarkojnë dhe atë e mbështeti edhe avokati i tij. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Fatmir Limaj – ‘Çeliku’ i Gjykimeve

Ka lindur më 4 shkurt 1971 në fshatin Banjë të Malishevës, jeton në Prishtinë, ka qenë pjesëtar dhe komandant i UÇK’së në brigadën 121, i njohur me nofkën Çeliku ose Daja. Tani ushtron funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, me profesion është Jurist. Limaj akuzohet në tre pika të aktakuzës se në bashkëkryerje ka kryer Krime Lufte kundër Popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës dhe dy akuza për Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Periudha për të cilën Limaj akuzohet në aktakuzë është janari i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të vitit 1999. Pas luftës ai zhvilloi një karrierë të suksesshme politike duke arritur deri në majat e pushtetit ndërkohë që i mbijetoi i pafajshëm një procesi gjyqësor për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Fatmir Limaj gjendet në arrest shtëpiak që nga data 22 shtator i këtij viti. Ndërsa në seancën e konfirmimit të aktakuzës, Limaj me një fjalim të gjatë e kundërshtoi në tërësi aktakuzën për të dhe shokët e tij ndërsa atë e mbështeti edhe avokati i tij ku në fjalim paraqiti edhe argumente për moskonfirmimin e aktakuzës. Megjithatë Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Refki Mazrreku – ‘Van Damme’

I lindur më 29 tetor 1971 në Malishevë, ku edhe jeton, ka qenë pjesëtar i UÇK’së, i njohur me nofkën “Van Damme”. Mazrreku në 2 pika të aktakuzës ngarkohet se në bashkëkryerje ka bërë Krime të Luftës kundër Popullatës Civile dhe Krime të Luftës kundër të Burgosurve të Luftës. Periudha për të cilën akuzohet Mazrreku është prilli i vitit 1999. I njëjti është arrestuar me datën 16 mars të këtij viti ndërsa ka qëndruar në paraburgim deri në 11 korrik, kur edhe i është zëvendësuar masa me arrest shtëpiak, ku gjendet edhe sot. Në seancën e konfirmimit të aktakuzës, Mazrreku së bashku me avokatin e tij u deklaruan të pafajshëm dhe e kundërshtuan aktakuzën në tërësi. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoj të gjitha akuzat.

Naser Shala – ‘Ftyra’ udhëheqëse 

I lindur më 26 tetor 1972 në Banjë të Malishevë, ka qenë pjesëtar i UÇK’së i njohur me nofkën “Ftyra”. Në aktakuzë thuhet se ka mbajtur një pozitë udhëheqëse në qendrën e paraburgimit në Kleçkë, si menaxher i këtij burgu. Shala akuzohet në 6 pika të aktakuzës se në bashkëkryerje ka kryer  Krime të Luftës kundër Popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës, katër akuza për Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës dhe një akuzë për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile. Periudha për të cilën e akuzon prokuroria është janari i vitit 1999 dhe mesi i qershorit të 1999-së. I njëjti është arrestuar me datë 16 mars ku nga kjo datë gjendet në paraburgim, para se të arrestohej ka punuar si ekonomist. Në seancën e konfirmimit të aktakuzës, Mazrreku nuk e pranoi fajësinë për asnjë nga pikat e aktakuzës ndërsa atë e mbështeti edhe avokati i tij. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoj të gjitha akuzat.

Sabit Shala – ‘Cungu’ që regjistroi

Ka lindur më 10 qershor 1972 në fshatin Kleçkë të komunës së Lipjanit ku edhe jeton, ka qenë pjesëtar i UÇK’së, i njohur me nofkën “Cungi”, ka kryer punën e regjistruesit në qendrën e paraburgimit, ku ka regjistruar të burgosurit. Sabit Shala akuzohet për dy pika të aktakuzës dhe atë se në bashkëkryerje ka kryer Krime të Luftës kundër Popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës dhe Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Ndërsa periudha për të cilën akuzohet nga prokuroria është fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999. I njëjti është arrestuar me datën 16 mars të këtij viti, ndërsa që nga kjo ditë gjendet në paraburgim. Në seancën për konfirmimin e aktakuzës, i njëjti u deklaruar i pafajshëm ndërsa thëniet e tij i mbështeti edhe avokati i tij. Në fund Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.

Shaban Shala – Kleçkasi i Akuzuar
Ka lindur më 19 mars 1958 në fshatin Kleçkë të komunës së Lipjanit ku edhe jeton, ka qenë pjesëtar i UÇK’së. Shaban Shala akuzohet për një pikë të aktakuzës dhe atë se në bashkëkryerje ka kryer Krime të Luftës kundër Popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës. Periudha për të cilën akuzohet nga prokuroria është fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të vitit 1999. I njëjti është arrestuar me datën 16 mars të këtij viti, ndërsa që nga kjo datë Shala, ka masën e paraqitjes në stacionin e policisë. Në seancën e konfirmimit të aktakuzës i njëjti nuk e pranoi fajësinë e atë e mbështeti edhe avokati i tij. Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e konfirmo akuzën për të.

Beslim Shurdhaj – Edhe Këtu me Limajt
I lindur më 29 gusht 1974 në fshatin Banjë të Malishevës, ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Shurdhaj akuzohet për dy pika të aktakuzës dhe atë se në bashkëveprim ka kryer Krime të Luftës kundër popullatës Civile dhe të Burgosurve të Luftës dhe Krime Lufte kundër të Burgosurve të Luftës. Ndërsa periudha për të cilën akuzohet nga prokuroria është fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999. I njëjti është arrestuar me datën 16 mars të këtij viti, ndërsa që nga kjo ditë gjendet në arrest shtëpiak. Në seancën për konfirmimin e aktakuzës, i njëjti u deklarua i pafajshëm ndërsa thinjet e tij i mbështeti edhe avokati i tij. Në fund Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i konfirmoi të gjitha akuzat.