Certifikohen 200 të Diplomuar që Fituan Praktikë në Punë

Rreth 200 të diplomuar janë certifikuar sot për përfundimin e programit të praktikës në punë, projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Valbona Bogujevci, Koordinatore e Programit në UNDP, tha se përmes bashkëpunimit me sektorin privat mund të zbutet papunësia.

Programi ka pasur për qëllim që të ju mundësojë të papunëve, të sapo diplomuar në institucionet e arsimit të lartë, një mundësi që të bëjnë praktikë tre-mujore në ndërmarrjet e sektorit privat, në mbështetje të punësimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Besian Mustafa, Drejtor i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) tha se ky program ka mundësuar përfitim të dyanshëm.

“Ka aspekt të dyfishtë — në njërën anë studentët i transferojnë njohuritë e tyre akademike, shkencore e teknike te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe njëkohësisht; ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ndajnë njohuritë e tyre teknike e operative me këta studentë”, tha Mustafa

Poashtu, ai u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e grave në program.

“Ajo që na bën shumë të lumtur është se, ndër vite, e kemi vënë re se në këtë program. pjesëmarrja e grave 2 apo 3 herë më e madhe sesa pjesëmarrja e burrave. Në program të vitit 2017 kemi rreth 200 pjesëmarrës, studentë përfitues, ku 145 janë gra e 55 janë burra”, shtoi ai.

Drin Haraqija, drejtor i Agjencisë së Punësimit, u shpreh i kënaqur rreth pjesëmarrjes së kompanive dhe praktikantëve në projekt.

“Ne jemi të kënaqur për numrin e atyre të cilëve kanë arritur të sigurojnë vende të punës në kuadër të kompanive ku e kanë zhvilluar praktikën e punës. Përveç kësaj jemi të kënaqur edhe për një numër të madh (të praktikantëve) me të cilët kompanitë, (që e kanë zgjatur praktikën) për një kohë 3-mujore ose 6-mujore si fazë testuese në mënyrë që të ndalen në punë në të ardhmen”, tha ai.

Haraqija tha se qeveria e ka miratuar planin e punësimi ku fokusi kryesor do të jetë punësimi i të rinjve. Ai tregoi se ka programe 32 programe të trajnimeve për të cilat mund të aplikohet në zyrat e punësimit.
Ai i inkurajoi qytetarët që t’i shohin mundësitë e praktikave.

“Andaj ju lutem që t’i vizitoni zyrat e punësimit në komunën tuaj dhe qendrat e aftësimit profesional”, tha Haraqija.

Ndërkaq, pas tryezës, Alban Kryeziu, asistent i projekteve në UNDP tregoi për KALLXO.com disa nga detajet e këtij projekti.

Ai tha se rreth 180 kompani kanë ofruar vende për praktikë, ndërsa shtoi se rreth 20% të të sapo diplomuarve kanë lidhur marrëdhënie pune pas përfundimit të punës praktike.

Gjithashtu ai shtoi se programi e bën ndërmjetësimin e ndërmarrjeve që kërkojnë praktikantë dhe studentëve të sapo diplomuar.

“Programi i sotëm ka të bëjë me dhënien e mundësive për studentët e sapo diplomuar (brenda 24 muajve) që ta kryejnë një praktikë në ndërmarrje të sektorit privat. Ndërmarrjet e shprehin interesimin për aplikim dhe në momentin që shpallen vendet e lira të praktikës, përmes sistemit të informatave bëhet edhe ndërmjetësimi i këtyre vendeve të praktikës në mes të punëdhënësve dhe praktikantëve”, tha Kryeziu për KALLXO.com.