Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Cecarelli: Vendimi i Supremes Turp për Drejtësinë e Kosovës

Në Gjykatën në Prishtinë nisi sot gjykimi ndaj katër të akuzuarve për vrasje të rëndë dhe vrasje të rëndë në tentativë të kryera, sipas prokurorisë më 23 mars 2004.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari e Faik Shaqiri.

Më 23 mars 2004 gjatë trazirave të atëhershme ishin vrarë dy zyrtarë të UNMIK-ut, ndërsa të akuzuarit përveç për vrasje të tyre ngarkohen edhe për vrasje në tentativë.

Para se të lexohej aktakuza, avokati i Bajram Kiçmarit kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij dhe të akuzuarit tjetër Faik Shaqiri të mos vazhdohet ndjekja penale, ngase sipas tij çështja e dy të akuzuarve është tashmë e gjykuar.

Avokati tha se për këtë çështje ekziston një vendim i Gjykatës Supreme.

Prokurori i EULEX-it Danilo Cecarelli vendimin e Gjykatës Supreme e konsideroi turp për drejtësinë në Kosovë.

Cecarelli tha se në 23 vjet karrierë s’ka parë një vendim të tillë kur parimi që një person nuk mund të gjykohet dy herë për veprime të ndryshme ne një rast penal.

Pastaj i akuzuari Bedri Krasniqi nuk u ngrit në këmbë gjatë leximit të aktakuzës dhe nuk e pranoi avokaten që i ishte caktuar.

Ai deklaroi se nuk ka asgjë personale me avokaten, por konsideroi se me të “që 15 vjet po bëhet hajgare”.

Më pas Bedri Krasniqi u deklarua i pafajshëm. Pafajësinë e deklaruan edhe Alban Dizdari,Bajram Kiçmari e Faik Shaqiri.

Aktakuza ndaj katër personave për këto vrasje ishte dorëzuar më 21 korrik të këtij viti.

http://kallxo.com/dorezohet-aktakuza-per-te-pandehurit-e-trazirave-te-marsit/

Tre nga të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor ishin arrestuar më 5 korrik.

http://kallxo.com/eulex-flet-per-aksionin-e-sotem-te-policise/

KALLXO.com kishte shkruar edhe për kërkesën e prokurorit Cecarelli që të akuzuarve t’u caktohet paraburgimi.

http://kallxo.com/kerkohet-paraburgim-ndaj-te-dyshuarve-per-vrasje-te-zyrtareve-te-unmik-ut/

Në kërkesën e prokurorit shpjegohej si ndodhi vrasja e zyrtarëve të UNMIK-ut para më shumë se 13 vjetësh.

Sipas prokurorit, drejt veturës së Misionit të Kombeve të Bashkuara ishin shkrepur 106 plumba.