Carney: Gjykimi i Sekiraqës i Bazuar Krejtësisht në Fakte

Prokurori ndërkombëtar i rastit Sekiraqa, Andrew Carney, në një intervistë për “Drejtësia në Kosovë” ka thënë se gjykimi i Enver Sekiraqës ka qenë i pastër dhe i bazuar në fakte.

“Ky ka qenë një gjykim i pastër për vrasje, i cili është bërë bazuar në fakte. Publiku ishte i pranishëm gjatë shumicës së gjykimit, nuk u ishte kërkuar që të largohen. Ky rast ishte gjykuar bazuar krejtësisht në fakte e jo spekulime apo thashetheme apo gjëra të tjera që ka thënë z. Sekiraqa. Ky ka qenë i bazuar krejtësisht në fakte”, ka thënë Carney.

Vrasjen e policit Triumf Riza prokurori Carney e ka cilësuar si një tragjedi.

Tragjedia e rastit. Tragjedia e jetës së Triumf Rizës, i cili ishte vrarë aq i ri. Një oficer policie që ishte vrarë në shërbim, që ishte kërcënuar nga Enver Sekiraqa dhe banda e tij. Tragjedia ishte që ai është vrarë në pikë të ditës. Kjo është një tragjedi dhe kjo ka prekur shumë njerëz”, ka shtuar më tutje ai.

Prokurori po ashtu ka theksuar se dënimi i Arben Berishës ka qenë korrekt. Sipas tij, Enver Sekiraqa nuk ka mundur të dënohet më pak përderisa ka qenë organizator i vrasjes.

“Arben Berisha, personi që praktikisht ka gjuajtur dhe e ka vrarë Triumf Rizën, ka marrë një dënim me burg prej 35 vjetësh. Në këtë fazë, mendimi im është që është korrekte që Enver Sekiraqa të mos dënohet më pak sesa Arben Berisha sepse rasti që ishte bërë kundër Enver Sekiraqës është që ai ishte nxitësi dhe organizuesi”, ka shtuar më tej prokurori Carney.

Për dënimin e vrasjes së Triumf Rizës ka pasur dëshmi të shumta, të cilat Carney i ka përmendur në intervistën e tij për ‘’Drejtësia në Kosovë”.

“Nëse i shikoni faktet dhe nëse i lexoni transkriptet e gjykimit nga fillimi deri në fund, ju do ta shihni që ka pasur shumë fakte që kanë treguar për këtë lidhje të fortë dhe që tregojnë që ai ishte udhëheqësi”, shpjegoi Carney.

Andrew Carney ka thënë se Arben Berisha ka qenë pjesë e grupit Sekiraqa dhe një njeri i varfër.

“Bazuar në provat e telekomunikimit, ato financiare dhe pagesat e bëra, në fakt ishte Enver Sekiraqa që e kishte nxitur atë për të bërë atë vrasje. Faktet e mbledhura tregojnë që Arben Berisha nuk kishte ndonjë armiqësi të veçantë. Ishte Enver Sekiraqa që kishte disa arsye për ta urryer Triumf Rizën për vite të tëra”, ka shpjeguar më tej prokurori.

E sa i takon dëshmitarëve të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast ai tha se janë thirrur një numër i madh i dëshmitarëve e shumë prej tyre nuk kanë dëshmuar.

“Ju e keni parë që gjatë gjykimit ne kemi thirrur shumë dëshmitarë dhe një numër i madh i tyre nuk erdhën për të dëshmuar. Ka shumë gjasë dhe ne besojmë se një numër i këtyre dëshmitarëve janë frikësuar ose janë kërcënuar. Sa i përket pretendimit të z. Sekiraqa se në fakt ka qenë Policia ajo që i ka kërcënuar dëshmitarët kjo thjesht nuk qëndron, sepse nuk ka fakte për këtë. Nëse ka pasur kërcënime këtu, ato ishin nga ana e të akuzuarit”, thekson Carney.

Ai ka përmendur edhe faktin se gjatë dëshmisë së dëshmitarëve për këtë rast është hasur edhe në frikën që e kanë pasur ata.

“Mund të konkludohet fuqishëm se kjo është ajo çfarë ka mund të ndodhë. Pa dyshim, dëshmitarët dukeshin të shqetësuar për të dhënë dëshmi”, tregon tutje prokurori.

Në rastin Sekiraqa kanë dëshmuar edhe fytyra publike, por dëshmia e tyre është bërë pa prezencën e publikut.

Sipas Carney ky vendim i tyre është i lejuar me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

“Ligji, Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, në mënyrë të plotë e lejon që në rrethana të caktuara dëshmitarët të japin dëshminë e tyre pa praninë e publikut. Një nga arsyet e dhëna është që mund të ketë ndikim në jetën e familjeve, çështjet do të shkojnë në të dhëna që janë private sa i përket çështjeve familjare të këtyre dëshmitarëve”, shton ai.

Carney flet edhe për akuzat qe ishin ngritur kundër tij nga ana e Enver Sekiraqës.

“I akuzuari ka bërë shumë pretendime për shumë gjëra gjatë gjykimit dhe pikëpamja jonë si prokurorë në këtë rast ishte që kjo ka qenë thjesht një rast i tij për të shmangur të vërtetën”, shprehet ai.

Ai tregon për funksionin e tij si prokuror dhe cek që do të ndjekë rastin të bazuar vetëm në fakte dhe asgjë tjetër.

Carney gjatë intervistës flet edhe për bashkëpunimin që e kishte pasur gjatë këtij rasti me Policinë e Kosovës, pjesëtarët e të cilës i sheh si të përkushtuar dhe profesionistë.

“Para se të vija në Kosovë, asnjëherë nuk kam punuar me Policinë e Kosovës apo kam pasur njohuri për punën e tyre. Por nga puna e bërë në këtë rast e kam parë që ata janë të përkushtuar, profesionistë dhe mund të mbështetesh tek ata”, thotë Carney.

E për krimet e luftës dhe për çështje të tjera Carney thotë se do të merren prokurorë të tjerë.

“Mirë, siç e thashë, sa i përket hetimeve të krimeve të luftës unë nuk kam pasë ndonjë përfshirje me Sekiraqën. Çdo hetim për çështje tjera do të trajtohet nga të tjerët. Fokusi im, detyra ime, e cila më ishte dhënë mua kur e kam marrë rastin ka qenë që ta vazhdoj hetimin e fakteve në lidhje me tri pikat e aktakuzës dhe kjo është ajo çfarë kam bërë”, ka thënë gjatë intervistës Carney.