Gjykimi i Shukri Bujës || Foto: KALLXO.com

Caktohen datat për gjykimin e Shukri Bujës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datat për tri seanca në procesin gjyqësor ndaj ish kryetarit të komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Në procesin në të cilin Buja po akuzohet për keqpërdorim detyre seancat pritet të mbahen më 17, 18 dhe 21 maj të këtij viti, ka mësuar KALLXO.com.

Ky proces gjyqësor është rast i shënjestruar për liberalizim të vizave.

Buja po akuzohet nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë komunalë të Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

http://kallxo.com/shukri-buja-deklarohet-pafajshem/

http://kallxo.com/shukri-buja-te-vazhdoje-te-gjykohet/