Ministri në komision | Foto: KALLXO.com

Bytyqi: Nuk Kemi Thënë se do të Mbyllim Universitete

Teksa raportoi në Komisionin për Arsim në lidhje me gjendjen në arsimin e lartë, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi tha se nuk do të mbyllen universitete.

“Ne nuk kemi thënë se do të mbyllim universitete por do të shikojmë cilësinë dhe do të shohim se çfarë propozimesh do të marrim”, tha Bytyqi.

Ai tregoi se universitetet tjera publike nuk janë në gjendje të mirë nëse krahasohen me Universitetin e Prishtinës.

“Nuk është gjendje e mirë mes universiteteve publike krahas Universitetit të Prishtinës dhe këtë nuk do ta lejojmë”, tha Bytyqi.

Në një intervistë për KALLXO.com, ministri Shyqyri Bytyqi tha se universitetet publike në Kosovë mund të reduktohen në dy, ndërsa katër të tjerat të transformohen.

http://kallxo.com/bytyqi-reduktimi-universiteteve-nuk-konvenon-vetem-rektoreve/

Bytyqi tregoi se është biseduar edhe me drejtues të kolegjeve private të arsimit të lartë.

“Sa u përket kolegjeve private nuk është gjendja e mirë dhe kemi pasë kontakte me ta dhe ju kemi thanë se duhet të vendosin rregull sepse kështu nuk bën”, tha Bytyqi.

Ai përsëriti edhe njëherë se “duhet të ketë provim shtetëror për studentët e kolegjeve private”.

Këtë e kishte thënë edhe në intervistën për KALLXO.com.

http://kallxo.com/bytyqi-provim-shteteror-per-studentet-e-universiteteve-publike-dhe-private/

Ministri e pranoi se ka politizim në universitete.

“Është e vërtetë që ka politizim në universitet por ne jemi duke punuar dhe kërkojmë ndihmë për ta eliminuar këtë politizim”, tha ministri.

Ai foli edhe për regjistrime të studentëve në kolegje private pas afatit.

“Ne ua kemi bërë të qartë që pas datës 30 shtator do të mbyllet data e regjistrimit dhe nuk do të pranohet nga ne. Ata mund të regjistrojnë në të zezën, por nuk do të jenë studentë të këtij viti akademik sepse MASHT nuk e pranon këtë”, tha ministri Bytyqi.