Bytyqi Kërkon Bashkëpunim të Shkollave të Iowa-s me Pejën dhe Vushtrrinë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi që gjendet për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vizituar disa shkolla në Ioëa.

Bytyqi vizitoi Johnston High School, Norwalk High School dhe Universitetin e Iowas Veriore.

Gjatë vizitës në Johnston High School, ministri Bytyqi ka biseduar me udhëhqësit e shkollës për mundësitë e binjakëzimit të kësaj shkolle me shkollat e qytetit të Pejës në mënyrë që të hapet mundësia e shkëmbimit të stafit dhe të nxënësve.

Kjo shkollë tashmë ka marrëveshje binjakëzimi me qytetin e Pejës. Kjo shkollë, vitin e kaluar ka dërguar katër fëmijë në programin përmes organizatës “Toka” dhe planifikon që këtë vit të dërgojë edhe katër fëmijë të tjerë.

Ndërsa, edhe në në Norwalk High School, e cila është e binjakëzuar me qytetin e Vushtrrisë, ministri Bytyqi ka biseduar me udhëheqësin Duanee Magee për mundësitë e bashkëpunimit dhe binjakëzimin e kësaj shkolle me shkollat e Vushtrrisë.

Gjatë vizitës që ka pasur ministri Bytyqi në Universitetin e Iowas Veriore, ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me universitetet kosovare, ndërsa i ka falënderuar për raportin shumë pozitiv që e ka bërë për Kosovën ky Universitet, një ekip i të cilit ka qëndruar në Kosovë me në krye prof. Greg Hamot.

Me këto aktivitete Ministri përfundoi vizitën në SHBA dhe pritet të kthehet në Kosovë.