Byroja e Sigurimeve Kërkon 122 Euro për Aksidentin e Vitit 2012

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës u mbajt shqyrtimi gjyqësor në kontestin për rimbursim të dëmit lidhur me një aksident trafiku i cili kishte ndodhur në maj të vitit 2012.

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) e ka paditur Fehmi Rexhën duke kërkuar nga ai qe t’i paguajë asaj 122 euro dëmshpërblim.

Sipas padisë, Byroja e Sigurimeve kërkon nga Gjykata Themelore e Mitrovicës qe ta obligojë të paditurin Fehmi Rexha për kompensimin e këtij dëmi.

Tutje në padi thuhet se Fehmi Rexha kishte shkaktuar aksident trafiku duke goditur automjetin “Golf“ pronë e Remzi Pecit

Në padi sqarohet se  padituri kishte qenë i pasiguruar, respektivisht i kishte kaluar afati i periudhës së sigurimit.

Pala e dëmtuar ndërkohë kishte bërë kërkesë për kompensim demi te paditësi.

I padituri Fehmi Rexha nuk ishte i pranishëm në gjykatë, në seancën e shqyrtimit përgatitor, edhe pse sipas gjykatës ishte ftuar në mënyre të rregullt.

Ndërsa përfaqësuesja e palës paditëse Leonora Recaj i propozoi gjykatës qe seanca të mbahet pa prezencën e palës se paditur, propozim që u aprovua  nga gjyqtari i çështjes Naim Meholli.

Recaj deklaroi gjithashtu se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe se nga provat e bashkangjitura ne padi do të vërtetohet baza juridike e padisë si dhe lartësia e kërkesëpadisë.

Kurse në fjalën përfundimtare te cilën e dha pas administrimit të provave, përfaqësuesja e Byrosë Kosovare të Sigurimeve tha se nga provat e administruara është vërtetuar baza juridike e padisë dhe kërkoi nga gjykata që të obligojë palën e paditur që të shlyejë dëmin e shkaktuar ne shume prej 122 eurove.

Në fund të seancës gjyqtari Naim Meholli e njoftoi palën paditëse se brenda afatit ligjor do të marrë vendimin lidhur me këtë çështje.